"Ja sa paguhen policët për të mbrojtur parcelat e mbjella me kanabis-sativa"

Shqipëria

"Ja sa paguhen policët për të mbrojtur parcelat e mbjella me kanabis-sativa"

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 08:12
Ilustrim

Policia e Shtetit vijon të kryejë operacione të shumta kundër kultivimit të kanabis-sativa, në çdo cep të Shqipërisë. Por cilët janë ata persona që kultivojnë këto parcela, që çdo ditë policia “mundohet” t’i asgjësojë. Si funksionon pazari i drogës, pse po ndodhin gjithë këto operacione pikërisht tani, kur hashashi prej kohësh po lulëzon hapur përpara syve të policisë? Në një rrëfim për “Jeta Osh Qef”, një punonjës i policisë (identiteti i të cilit nuk mund të bëhet i ditur), ka rrëfyer se si funksionon pazari i drogës mes tyre dhe atyre që e kultivojnë, ndërsa sipas tij dhe Policia e Shtetit është e implikuar.

Gjatë udhëtimit me një automjet në rrugët e Shqipërisë, i pyetur nga shoferi ai tregon sesi funksionojnë pazaret e drogës në Shqipëri dhe përfshirja e punonjësve dhe drejtorëve të policisë në këto parcela. Sipas tij, rrënja e hashashit 3-mujor merret në mbrojtje nga policia për 20 euro, lekët në dorë si dhe prodhuesit duhet të paguajnë edhe 50% të prodhimit që të jenë të lirë në aktivitetin e tyre. Ndërsa për rrënjën 6-mujore merret 50 euro dhe këtu janë të përfshirë edhe drejtorët e policisë, të cilët ai i quan “bosat” e vërtetë që marrin para me thasë. Ndërsa ata persona që nuk i japin lekët dhe përqindjen policisë, arrestohen dhe iu asgjësohet bima narkotike.

Si funksionon kjo puna e kanabisit këtu tek ne, e ke idenë? 

Po kjo punë është bërë e udhës tani. Të gjithë me atë po merren, dhe çdo polic ka dijeni mbi këtë punë.

Sa kërkohet për një bimë 3-mujore? 

Për këtë lloj bime paguhet 20 euro, madje lekët duhen në dorë, pa asnjë vonesë.

20 euro i do për një rrënjë? 

Po. Bëhet-s’bëhet ai vjen dhe t’i numëron rrënjët të gjitha. Vjen tamam si agronom, i numëron degë për degë.

Po këto bimët që zgjasin më shumë në rritje? 

Këto 6-mujoret e kanë çmimin 50 euro. Ndërsa po të ketë shumë ndërhyrje, ata japin 50 mijë lekë të vjetra.

Po me drejtorët e policisë si funksionon në këtë punë?

Nuk e di, por kam dëgjuar për këta sekserët që janë futur tani. Por nuk e di mirë nëse i merr drejtori i policisë apo sekseri. Nuk e di mirë se si i ndajnë.

Pse nuk i kapin, por i lënë kështu, të lirë?

Shefave të komisariateve dhe drejtorëve të qarqeve janë duke u shkuar paratë me thasë. Këta e marrin të gjithë atë lek, është lek i madh. A e keni idenë se çfarë do të thotë 20-50 euro për një degë kanabis? Është një lek i paparë, i shkon i paprekur fare. Marrin edhe 50 për qind të prodhimit në fund fare. Këto janë lek shtesë, veç atyre që kanë marrë 20 apo 50 euro për një rrënjë. Nëse katër persona bëjnë 1 kuintal drogë, 50 kilogramë i merr vetëm sekseri, edhe 50 euro për rrënjë.

Nëse veprohet kështu, policia nuk të shqetëson? 

Sigurisht që jo, puno lirshëm pastaj nëse ke vepruar në këtë mënyrë. Aty punon sikur do të mbjellësh misër, do prashitësh misër dhe nuk të bën asgjë askush. Shkon policia aty ku janë 50 forca pune që punojnë dhe, polici i përshëndet: “Punë e mbarë çuna, si jeni? Si shkon puna?”.

Ju jeni polic burgu, a e përdorin të burgosurit drogën?

Jo, nuk kam arrit të shoh ndonjë të burgosur që të përdorë hashash. Jo për ta spiunuar, por dua të shoh ndonjë që e përdor. Ishte koha kur sillnin telefona e gjëra të tjera dhe nuk i kam bërë gjë. Pse duhet ta spiunoja? Unë u bëra 5-6 vjet me burgjet dhe nuk të mban askush sekrete. Do të punosh tamam me ndërgjegje dhe, si oficer thua se në filan dhomë dyshoj se ka telefon. Ndërsa kur vijnë për kontroll, ata thonë që t’i fshehim këto telefona.

Pra, ju po thoni se janë të implikuar edhe drejtorët e burgjeve? 

Nuk bëhet fjalë, drejtorët e burgjeve, janë bosa. Ata janë “ar i zi”.

Pse çfarë bëjnë? 

Po janë lejet e veçanta e të burgosurve, lejet e zakonshme, takimet, ushqimet për të burgosurit, dyqanet aty në burg e shumë gjëra të tjera që ata kanë përfitime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat