PD harton amendamentet, konteston sërish rolin e ndërkombëtarëve

Shqipëria

PD harton amendamentet, konteston sërish rolin e ndërkombëtarëve

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 09:26
Komisioni pë Reformë në drejtësi

Ndërsa  Kuvendi është bërë gati për seancën e jashtëzakonshme parlamentare të datës 30 gusht ku pritet të votohet projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si “Vetting”, Partia Demokratike ka përgatitur disa amendamente të reja ligjore për secilin nga 66 nenet e këtij projekti. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga seanca plenare, palët ende nuk kanë bërë një përpjekje për gjetjen e konsensusit mes tyre, megjithëse maxhoranca i ka votat për ta votuar pa opozitën projektligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita tha se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese projektligjin e miratuar nga ribashkimi i votave mes PS-së dhe LSI-së në Komision, ndërsa që pas asaj dite ka vijuar punën për të përgatitur amendamente të tjera për nenet nga 26 deri në 66. Ekspertët e djathtë kanë përfunduar të shtunën rishikimin e plotë të “Vetting”-ut.

Kjo u konfirmua për gazetën “Shekulli” edhe nga një përfaqësuesit ligjor të selisë blu që po punon me projektligjin e “Vetting”-ut, Gazmend Bardhi, i cili sqaron se PD-ja e ka njoftuar Komisionin për përgatitjen e amendamenteve të tjera për pjesën e mbetur të neneve, një punë që sipas tij është ndarë në dy faza për shkak të punës voluminoze. “Kemi njoftuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar më datë 19 që do të bëjnë amendamente dhe e kemi ndarë në dy faza duke qenë se bëhet fjalë për një punë voluminoze. Deri më datë 22 përgatitëm amendamente për nenet 1 deri në 25 të projektligjit dhe i paraqitëm në Komision. Nga data 22 deri sot më 27 gusht, po punojmë për pjesën tjetër të amendamenteve që do t’i dorëzojmë sot në dark në Komision”, u shpreh në një prononcim të shkurtër për “Shekullin” juristi i PD-së, Gazmend Bardhi.

PD-ja rishikon rolin e ONM-së 

Ndër ndryshimet e reja të bëra nga Partia Demokratike në projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

është edhe roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Draftin e misionit të Bashkimit Evropian, EURALIUS dhe atij amerikan OPDAT PD-ja e quajti antikushtetues, pasi u jepen kompetenca ekzekutive, kur Kushtetuta e njeh vetëm si roje të procesit gjatë kontrollit dhe rivlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të kandidojnë për postet në institucionet e reja. Pavarësisht apelit të përsëritur nga EURALIUS se roli i ndërkombëtarëve do të mbetet i paprekur, opozita ka vijuar për përmbledhjen e rezervave të saj në një draft të ri. Në draftin e opozitës kërkohet të ndryshohet edhe roli i institucioneve të treta si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave apo ai i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që të mos përdoren si instrumente kontrolli. Në draftin e Partisë Demokratike theksohet se rivlerësimin duhet ta kryejnë institucionet kushtetuese që do të ngrihen për “Vetting”-un. Ekspertët e djathtë kanë përgatitur një draft më të detajuar se ai që u votua në Komision ku parashikohen saktë procedurat dhe afatet për rivlerësimin. PD tha se kjo është bërë me qëllim që të garantohet siguria juridike e procesit dhe të eliminohen mundësitë që “Vetting”-u të mos kthehet në një mjet presioni kundër njerëzve që do të punojnë në sistemin e drejtësisë.

Por pavarësisht se opozita e ka tashmë një projektligj të rishikuar për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duket e vështirë që amendamentet e saj të pranohen qoftë edhe pjesërisht, pasi në mbledhjen e fundit të Komisionit ku PD-ja paraqiti 47 amendamentet e para të gjitha u rrëzuan nga shumica, e cila miratoi draftin e hartuar nga ekspertet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it. Seanca e jashtëzakonshme e 30 gushtit ku pritet të votohet projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, do të hapë njëherësh sesionin e Vlll-të të Kuvendit. Kuvendi ka publikuar në faqen e tij urdhrin e kreut të këtij institucioni për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, ku pritet të jetë e pranishme edhe opozita. “Bazuar në urdhrin nr. 56, datë 26.8.2016 të Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, rendi i ditës të seancës plenare është si më poshtë vijon: 1. Hapja e Sesionit të Jashtëzakonshëm të Legjislaturës së VIII –të të Kuvendit të Shqipërisë. 2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë, 25.7.2016 (neni 44, pika 2 e Rregullores) 3. Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (nenet 73-77, Rregullore, votim me shumicë të cilësuar prej 3/5 e të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Basha mbledh deputetët një ditë para seancës

Prishja e konsensusit ditën martë mes palëve për projektligjin e “Veting”-ut, i cili u votua vetëm me votat e maxhorancës ka bërë që kreu i PD-së të thërrasë në një mbledhje deputetët e djathtë për të diskutuar për hapat e radhës dhe seancën e një dite më pas. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi ditën e martë, Basha ka njoftuar deputetët për takimin dhe vijimin e punës së ekspertëve për fazën e dytë të përgatitjes së amendamenteve ligjore. Sakaq, demokratët presin reagimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që të rikthejë frymën konsensuale mes palëve. Një të tillë të djathtët e kanë kërkuar edhe në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare të martën në mbrëmje. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të votojë të gjitha projektligjet e emergjencës edhe pa votat e PD-së, me qëllim që ndryshimet kushtetuese të futen në zbatim sa më shpejt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat