Rama në Kalanë e Dodës, premtime për bujqësinë e infrastrukturën

Shqipëria

Rama në Kalanë e Dodës, premtime për bujqësinë e infrastrukturën

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 14:50
Damian Gjiknuri

Fushatën për zgjedhjet e pjesshme të 11 shtatorit në Bashkinë e Dibrës, kandidati i majtë e ka zhvendosur në Kalanë e Dodës , ku i shoqëruar nga deputeti Sadri Abazi dhe kordinatori socialist për Qarkun Damian Gjiknuri, janë takuar me banorët e kësaj zone.

Asfaltimi i rrugës Ceren-Radomirë-Rade, ngritja e mirëmbajta e kanaleve të ujit vaditës, subvencionet  për  blegtorinë, krijimi i një ujëmbledhësi për ujë të pijshëm (Ploshtan, Ceren), rregullimi i rrugës së fshatit Shullan dhe promovimi i turizmit ishin disa prej angazhimeve të marra përsipër nga kandidati Muharem Rama.

Rama: “Do të ndërtojmë një baxho, do të rrisim ndjeshëm fondet për blegtorinë falë mbështetjes së qeverisë. Duke qenë se kjo është një zonë turistike që vizitohet nga turistë të huaj e vendas, ne do të bëjmë realitet rrugën e Radomirës. Këtë projekt do ta zbatojmë me prioritet të madh për ti ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit malor. Ne po realizojmë projektin e madh të rehabilitimit të bulevardit në Peshkopi por pavarësisht se kundërshtari thotë po i çojnë lekët në bashki, prioritet për ne do të jenë zonat rurale ku edhe përqëndrohet një pjesë e madhe e popullsisë”.

Ndërkaq, Ministri Gjiknuri theksoi se opozita e gjendur përpara faktit ku nuk ka çfarë thotë për kandidatin ka zgjedhur vetëm të shpifë.

Gjiknuri: “Janë mundu me hedh edhe baltë padrejtësisht për figurën e Muharemit. Në fakt, për mua ata kanë ofenduar popullin e Dibrës kur i thonë Muharemit trafikant droge. Normalisht, ju e njihni dhe ata tregojnë se nuk kanë çfarë të thonë fare për alternativën tonë dhe vetëm shpifin. Zgjedhjen e keni shumë të pastër dhe fati e ka ndihmuar që është numri 1 në fletën e votimit. Zgjidhni 1-shin dhe jam i sigurtë se Muharemi do të jetë vërtet 1-shi dhe shërbëtori juaj deri në fund”. 

Deputeti Sadri Abazi ftoi edhe banorët e Kalasë së Dodës që të intensifikojnë punën për të nxjerrë fituese kandidaturën e Muharem Ramës, duke theksuar se demokratët do të jetë për shumë vite në opozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat