Denoncimi - PD: Rama çon Arben Ndokën në krye të Federatës së Mundjes

Shqipëria

Denoncimi - PD: Rama çon Arben Ndokën në krye të Federatës së Mundjes

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 00:03
Arben Ndoka

Partia Demokratike deklaron se ish-deputeti Arben Ndoka me mbështetjen e Edi Ramës është vënë në krye të Federatës së Mundjes.

Sipas PD-së, njeriu i dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi si dhe ai që ka larguar me dhunë dy zonja nga listat e deputetëve në Lezhës, i jepet nga Edi Rama një federatë.

Opozita thotë se me këtë vendim, Rama dëshmoi sërish se vetmja alternativë e tij është krimi, trafiku dhe droga.

Reagimi i plotë i PD-së:  

Edi Rama po konfirmon në sytë e mbarë shqiptarëve se krimi, trafiku, prostitucioni janë zgjedhja e tij. Edi Rama ka dërguar zyrtarët e tij për të legalizuar Arben Ndokën, i dënuar për prostitucion dhe rrëmbim personi, si kreun e Federatës së Mundjes.

Pasi ka hequr me dhunë dy zonja nga lista e Lezhës për të futur trafikantin në Parlament, pasi ka refuzuar revoltën e shqiptarëve, pasi ka injoruar Departamentin Amerikan të Shtetit që e përmendi me emër si turp te Shqipërisë, Edi Rama sërish ndan pushtet dhe privilegje me Arben Ndokën. Edi Rama nuk i dha Arben Ndokës thjesht një federatë sporti, por i dha sërish lejen për të bërë atë që ai di të bëjë, dhunimin e votës, presionin ndaj qytetarëve, sundimin mbi ligjin.

Edi Rama dëshmoi sërish se e vetmja alternativë e tij është krimi, trafiku, droga. Qytetarët në mbarë vendin janë të neveritur nga Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin. Edi Rama dhe trafikantët e tij do të marrin përgjigjen e merituar ditën më të parë që do të përballen me fuqinë e sovranit, me votën e popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat