Roma kërkon përjashtim për kufirin e borxhit

Evropë

Roma kërkon përjashtim për kufirin e borxhit

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 08:43

Rregullat e deficitit të BE-së kanë përjashtime për rastet e fatkeqësive natyrore. Roma do tani që këto rregulla të shtrihen edhe për rastin e masave parandaluese.

60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto - më tepër borxh nuk duhet të bëjë një shtet anëtar të BE-së, nëse nuk dëshiron të shkelë kriteret e stabilitetit të Brukselit. Pas tërmetit në rajonet e Lazios, Umbrias dhe Markës Italia me sa duket nuk do të jetë në gjendje ta plotësojë këtë qëllim. Ekspertët mendojnë se rindërtimi i zonave të prekura do të kushtojë disa miliardë euro dhe do të zgjasë për vite me radhë. Përveç kësaj ka nevojë urgjente për të investuar më tej për masa sigurie sizmike për ndërtesat e banimit në zonat me rrezik të lartë. Për këtë mund të lindin shpenzime prej më shumë se 35 miliardë euro.

Për këtë shkak qeveria e Italisë ka kërkuar nga BE-ja zbutjen e kritereve të stabilitetit për Italinë. "Kjo nuk ka të bëjë me shpenzimin arbitrar të parave", tha zëvendës ministri i Ekonomisë, Enrico Zanetti në një intervistë. Ne duam që me investimet e nevojshme të reagojmë ndaj rrezikut për tërmete.

Image

BE-ja parashikon përjashtime

Në rregullat deficitit të BE-së ekzistojnë përjashtime për rastet e fatkeqësive natyrore dhe rindërtimin. Por Roma do që këto rregulla të shtrihen edhe për rastin e masave mbrojtëse dhe parandaluese si në rastin e tërmeteve dhe i bëri thirrje Komisionit të BE-së që të tregohet i arsyeshëm. Fjala është për një hap të cilin Evropa duhet të bëjë, tha sekretari i shtetit Claudio De Vincenti, i cili punon në zyrën e kryeministrit Matteo Renzi.

Ndërkohë autoritetet e korrigjuan me një numrin e viktimave të tërmetit. Sipas të dhënave të Entit për Mbrojtjen Civile prej tërmetit me magnitudë 6.1 ballë të 24 gushtit, humbën jetën 290 vetë. Shumica e tyre në qytetin e vogël Amatrice, rreth 149 km në verilindje të Romës. Italia qendrore është shumë e rrezikuar prej tërmeteve dhe në të kaluarën është tronditur shpesh nga fatkeqësitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat