Rrëfimi i trishtë i gjyshërve të 12 vjeçarit që iu pre koka në Palasë

Shqipëria

Rrëfimi i trishtë i gjyshërve të 12 vjeçarit që iu pre koka në Palasë

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 15:37
Llambro Zani me djaloshin e vdekur

Asgjë s`ka ndryshuar dhe as nuk mund të ndryshojë ndonjëherë në shtëpinë e Llambro Zanit në Palasë.

Aty, mu në pragun e derës së tij gjendet edhe vendi i krimit i të çmendurit që i mori jetën djalit të së bijës, që e preu në besë xhaxhanë e tij, teksa i rrëmbente trashëgimtarin e shpirtit dhe e masakronte. Rikthehemi në Palasë, pikërisht në shtëpinë e gjyshërve të A.Z, djalit 12 vjeç, që pak ditë më parë u gjend i pa jetë në duart e agresorit që në kushte normale konsiderohej daja i tij. Në shtëpi gjenden Llambro e Antigoni Zani, burrë e grua, të moshuar, të cilët janë tërësisht të shokuar.

Nuk dinë si dhe a janë në gjendje të përballojnë këtë humbje, por ama të presin, të flasin dhe kudo me to gjenden fotot e djalit të së bijës, i cili tashmë jeton në formën e dhimbjes që trondit edhe vetë thelbin e ekzistencës. Në familjen Zani qëndrova pothuajse një orë në atë banesë, ku tashmë dy të moshuarit jetojnë vetëm. Më treguan disa fotografi të engjëllit të vogël, që është ngjitur kushedi se ku.

Sepse, ata, dy të moshuarit, dy gjyshërit e përvëluar në këtë jetë, nuk mund ta pranojnë kurrsesi se, vogëlushi ndodhet nën tokë. E kishin aq pranë, e donin aq shumë. Më sjellin një foto ku, A.Z ka dalë me pjesëtarë të tjerë të familjes. Pak çaste më vonë, më tregojnë një foto tjetër, me përmasa pak më të mëdha se e zakonshmja, ku ai është vetëm.

Një fëmijë i bukur, që e shfaq dukshëm lumturinë e vet. Me një shikim që, sheh larg… shumë larg. “Shikoje engjëllin e vogël të nënës, shiko sa i bukur është, ..shiko…O Zot, pse ma more, pse..?”. Gulçimat e të moshuarës nuk mund të ndalojnë më. Në dhomën ku qëndrojmë, ka edhe të tjerë njerëz. Ata vijnë çdo ditë për t’u qëndruar pranë, për t’i mbajtur me fjalë, për t’u dhënë kurajë. Po çfarë kuraje mund t’u japësh atyre dy gjyshërve që deri para pak ditë ishin si të thuash të lumtur me jetën e tyre?!

Ua lanë prindërit për pak ditë të voglin që ai të qëndronte në fshat, që të ishte pranë tyre, që të shijonte edhe ca ajrin e pastër të Palasës që, malin e ka shumë pranë si kurorë dhe sheh detin poshtë të paanë. Por, shumë pak zgjati. Vetëm dy ditë. Deri atë mëngjes të 17 gushtit, kur ai u nis për në plazh: “U kthye nga rruga të marrë celularin që kishte harruar në shtëpi.

Ne e dinim në plazh, nuk e merrnim kurrë me mend se… nuk do ta shihnim më të voglin e nënës, engjëllin e nënës”! Ofshamat e saj dëgjohen deri tutje, edhe tek ajo dhomë, aty ngjitur, ku, atë të mërkurë të zezë, katili mbajti për minuta të tëra shpirtin e vogëlushit.

Ku ta dinin ata që, ndërsa e mendonin poshtë në det, engjëlli i tyre, ndodhej vetëm dy metra larg, në një jetë tjetër. Por, jo. Boll, me kaq. “Mjaft! Jemi prekur, jemi acaruar, jemi shqetësuar. Mjaft shkruajtët për të, boll është mbushur interneti e faqet e gazetave me të qena e të paqena. Na lini në dhimbjen tonë, në hallin tonë.

Sytë e rrëmbushur të nënë Antigonit, më shohin mes turbullirës që i ka krijuar dhimbja. “Gazetar, thuaju edhe të tjerëve, të na lënë në dhimbjen tonë, në hallin që na gjeti, në këtë….që …as hasmit mos i ndodhtë. Çfarë janë këto gjëra që shkruajnë këta njerëz, çfarë janë këto hollësira, e kujt i duhen ato, përveçse të na trazojnë shpirtin edhe më keq që e kemi të trazuar?”.

E, ç`mund të bëj unë, përveçse të shkruaj disa rreshta, të përjetoj dhe të bashkohem me dhimbjen e tyre pa asnjë lloj përmase. E, pse jo, të ndreq edhe disa nga ato të pavërtetat që janë shkruar, diku nga nxitimi, diku nga cektësia. Dy të moshuarit, fisnikë në pamje dhe në shpirt, më thonë se, prindërit e vogëlushit, vajza dhe dhëndri, nuk e dinë plotësisht të vërtetën e ikjes së të voglit. Asnjëherë nuk do t’ua thonë, ose nuk do të kenë guximin t’ua thonë. “U godit me një gur në kokë dhe kaq! Largimi i tij nga kjo jetë, është e mjaftë që ata shkrumboheshin në dhimbjen e tyre”. Në divanin përballë meje, 82-vjeçari, Llambro, përpiqet të shfaqet më i fortë. Por, çdo fjalë që thotë e tradhton...

 Monstra ishte dënuar edhe në Greqi, banorët kishin frikë që ta denonconin

 Barba Llambro e ka të vështirë të flasë, por gjithsesi flet. Ai dhe të tjerë këtu, në këtë dhomë, tregojnë se, Jorgo Zani, ka qenë i dënuar me 5 vjet burg në Greqi, për vepra të ndryshme penale, vjedhje, ushtrim dhune, ngacmime. Bëri 3 vjet dhe e dëbuan prej andej, për ta sjellë në Shqipëri. Erdhi në Palasë. Por, mbaruan ato dy vjet që përkonin me dënimin dhe, ai u kthye sërish.

Qëndroi një vit. Dhe sërish e dëbuan. Madje, për ta detyruar të mos kthehej më drejt Greqisë, i grisën edhe pasaportën. Pas kësaj ju bë “ferrë”, fshatit dhe bashkëfshatarëve. Por edhe të afërmve. Për aq kohë sa ishin në Palasë edhe dy të moshuarit, ishin të frikur ndaj tij, ndaj mënyrës si sillej. Nuk dinin si ta përballonin. Mbyllnin mirë derën natën, për t’u ndjerë më të sigurt. Ndërkohë, një prej të afërmve që ndodhet i ulur pranë meje, tregon se, gjithë fshati kishte provuar dhunën e 30-vjeçarit. Por, kishin frikë të flisnin, të denonconin. Trembeshin prej tij. Mund t’u merrte jetën.

 “Ndodhi kjo që ndodhi dhe tani po flasin, po tregojnë”, thotë i afërmi i familjes, ndërkohë që shton se, duhet të merreshin masa me kohë për këtë, për ta larguar nga fshati. “Ai ishte i sëmurë mendor, Jorgo Zani?”-pyes në një moment. –E çfarë nuk ishte ai,- më vjen përgjigja.

Ajo që është e sigurt, sipas tyre, lidhet me faktin se, ai në Greqi, nuk është konstatuar si përdorues droge. “Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo, është dënuar për gjëra të tjera, por jo për drogë”,-thotë Llambroja. Të pranishmit, tregojnë se, fizikisht ai ishte shumë i fuqishëm. Zbriste dhe ngjitej me biçikletë nga fshati në det dhe na kahun e kundërt. “Nuk mund të bëjë këtë një njeri që merr drogë”, thonë ata. Odisea Dhimolea, kryetari i fshatit, tregon se Jorgo ishte shndërruar në një shqetësim të vërtetë për komunitetin e banorëve.

Ai thotë se, dërgimi në Spitalin Neuropsikiatrik, ishte realizuar me këmbënguljen e tij dhe mbështetur nga inspektori i zonës i policisë. Vitin e kaluar, në nëntor, Jorgo u bë protagonist në një ngjarje të shëmtuar në fshat. Në oborrin e kishës, ai dhunoi disa bashkëfshatarë dhe në prani të tyre, bëri të njëjtën gjë edhe me një turiste të huaj. Boll me kaq.

 Kupa u mbush. U kërkua me urgjencë që, të ndërhyhej. “Ky njeri nuk ishte në rregull nga mendja e kokës dhe duhej vizituar tek mjekët neuropsikiatër”, thotë Dhimoleja. Të nesërmen e denoncimit, erdhi autoambulanca dhe, ai së bashku me inspektorin e zonës dhe mjekët, e shoqëruan të riun për në Vlorë, ku, ai u mbajt rreth 10 ditë në trajtim mjekësor. Për të dalë andej, në fillim të muajit dhjetor.

Të gjithë mendojnë se, i ati i Jorgos, Petraqi, është po aq i sëmurë dhe përgjegjës në këtë histori, sa i biri i tij. Ishte ai që, këmbënguli për ta nxjerrë nga spitali dhe firmosi marrjen në përgjegjësi, të të birit, ndërkohë që nuk jetonte këtu. “I kishim thënë disa herë ta merrte me vete në Greqi, të mos e linte këtu se ishte bërë problem për fshatin, por, nuk dëgjonte, deri sa bëri edhe atë që e nxori nga spitali duke firmosur dhe duke e marrë në përgjegjësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat