“Jemi vonë me Vetingun, vështirë që sot të kemi konsensus”

Shqipëria

“Jemi vonë me Vetingun, vështirë që sot të kemi konsensus”

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 18:08
Kuvendi i Shqipërisë

(E plotesuar) Kreu i Kuvendit dhe njëherësh i LSI-së, Ilir Meta, në fjalën e mbajtur sot në Kuvend deklaroi se palët janë shumë vonë me ligjin e Vetingut.

Ai theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës për projektligjin në fjalë, por u shpreh pesimist për arritjen e një marrëveshjeje gjatë mesnatës së sotme.

“Unë dua t’ju kujtoj të gjithëve që jemi shumë vonë me ligjin e Vetingun, në raport me reformën dhe detyrimet tona në raport me integrimin evropian. Jo vetëm ky ligj por edhe ligje të tjera duhet të raportoheshin në 1 shtator si të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Ky konsensus ka të bëjë me stabilitetin e vendit. Unë kam luftuar për konsensusin, se ishte detyra ime si kryetar i Parlamentit. Mendoj që duhet të jemi shumë të kënaqur për mesnatën e 21 dhe 22 korrikut. Më duket e vështirë që të arrijmë një konsensus në mesnatën e 31 korrikut dhe 1 shtator. Unë i kam bërë të gjitha përpjekjet që projektligji të miratohet me konsensus. E kam shtyrë në vazhdimësi këtë proces për arsye të faktorëve të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Aktualisht nuk më duket shumë bindës qëndrimi i opozitës. Së dyti për të gjithë reformën në drejtësi, dy jurist për një koncept nuk mund të bëjnë të njëjtin formulim. Por nuk shoh asnjë gjë themelore që të pengojë votimin e opozitës në parim por pse jo edhe nen për nen”, tha ai.

Vetingu, Rama: Drejtësia është kthyer në mall që blihet dhe shitet

Image

Kryeministri Edi Rama është shprehur se drejtësia është kthyer në mall që blihet dhe shitet. Duke folur nga foltorja e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme për kalimin e projektligjit të Vetingut, Rama tha se të gjithë e dinë se kush e ka penguar reformën.

“Ata që i kundërvihen reformës në drejtësi, janë ata që kanë probleme me drejtësinë. Ata që bëjnë çmos për të penguar procesin e pandalshëm të kësaj reforme, janë ata që me të drejtë ndjejnë çfarë vjen pas nga kjo reformë. Ata të cilët u detyruan ti bashkohen konsensusit në këtë sallë për arsye se presioni popullor dhe i partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë ishte kolosal dhe faktikisht muri i 94 votave u shemb mu përpara derës së SHQUP-it. Habitem pse nuk festojnë me ne një fitore tjetër, ne jemi gati të festojmë njësoj si atë natë”, tha kreu i qeverisë.

Sipas tij nuk është koha që të thuhet se kush e do më shumë reformën apo demokracinë. “Këtu ka vetëm një gjë, të votohet ky ligj kaq i rëndësishëm. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të pasur konsensus, por jo konsensus që bie ndesh me ndërkombëtarët, presioni i tyre ishte kolosal”, u shpreh Rama.

Ai ka paralajmëruar se, “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t'i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”.

“Venecia na rekomandon që këto masa janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësia vonon por nuk harron”, ka vijuar Rama. Ai tha se ne nuk jemi sovran të zgjedhim çfarë të duam nga familja europiane. “Duhet t’u përshtatemi rregullave që ka familja europiane”, shtoi kryeministri.

Më pas Rama vijoi: “Jemi i pari koalicion qeverisës që e kemi shkruar në program reformën në drejtësi, ku këtu janë bërë shumë përqeshje se si mund ta shkruanim atë në programin tonë, ku duheshin 94 vota. Por ne fituam pasi u dhanë 140 vota”.

“Prandaj them, për të mos ta zgjatur më shumë që ta votojmë këtë ligj si shumicë duke vazhduar të mbrojmë themelet e programit tonë qeverisës, të mbrojmë zotimet tona para shqiptarëve”, tha ai.

Sipas kryeministrit, shqiptarët sot duhet ta kenë të qartë që ka një shumicë që u përgjigjet dhe se votimi është detyrim ndaj vullnetit të popullit për të bërë reformën.

 

Kuvendi nis seancën e jashtëzakonshme për miratimin e vetingut

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur pasditen e së martës në séancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin dhe miratimin e pr/ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si vetingu.

Seanca ka nisur me diskutimin e deputetit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pjesë e opozitës. Ne, tha ai, nuk duam as ta politizojmë dhe as ta bllokojmë këtë proces, por kërkojmë që autoritetet kushtetuese që u ngritën të kenë autoritetin e vlerësimit dhe vendimmarrjes. Ne duam një proces ligjor kushtetues dhe në shërbim të një drejtësie të pavarur”, u shpreh Mediu.

Duke e konsideruar mjaft të rëndësishme paketën ligjore në funksion të zbatimit të reformës kushtetuese, Mediu e vuri theksin tek konsensusi. “Konsensusi ka qenë dhe mbetet rruga më e mirë për një reformë thelbësore në drejtësi dhe për të bërë të mundur që ligjet të implementohen. Sot për interesa politike kërkohet të miratohet një ligj që shkel Kushtetutën dhe frymën e konsensusit. Opozita nuk mund të pranojë këtë situatë dhe të vazhdojë një proçes duke u bërë pjesë e kësaj farse”, tha deputeti republikan.

Miratimi i pr/ligjit te vetingut kërkon shumicë të cilësuar votash, 3/5-n e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Rendi i punimeve të seancës së sotme parashikon që fillimisht të shprehet relatori i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi për pr/ligjin në fjalë, ndërsa më pas diskutimet do të vijojnë në emër të grupeve kuvendore.

Paraditen e sotme u mblodh grupi parlamentar i Partisë Demokratike të opozitës, ku u vendos që opozita të jetë e pranishme në séance, por duke mos e votuar pr/ligjin më të rëndësishëm të paketës së reformës në drejtësi. Ky qëndrim i pritshëm i opozitës pason atë të mbajtur prej saj në komisionin e posaçëm, ku PD nuk e votoi draftin, pasi e konsideroi “antikushtetues”. Sipas opozitës, vetingu duhet të jetë një proces ligjor dhe jo politik.

Para séance u mblodh dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ku u konfirmua qëndrimi solid i maxhorancës për miratimin e pr/ligjit të vetingut, që kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat