Rama: Partneritet Publik-Privat për Rrugën e Arbrit

Shqipëria

Rama: Partneritet Publik-Privat për Rrugën e Arbrit

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 18:27
Edi Rama

Prej vitesh, qeveritë në Shqipëri nuk kanë mundur të ndërtojnë rrugën e Arbrit që do të shkurtojë mjaft distancat midis Tiranës dhe Peshkopisë si dhe lidhjen më tej në drejtim të Maqedonisë.

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në rrjetin sociale Facebook, tha se zgjidhja e vetme për këtë rrugë mbetet partneriteti publik privat.

Rama: Arsyeja pse rruga e Arbrit nuk filloi është se ata (PD) nuk lanë asgjë në tavolinë, lanë vetëm një marrëveshje në parim me qeverinë kineze për të marrë borxh. Çfarë kemi bërë ne? Ne kemi negociuar me qeverinë kineze një formulë tjetër, jo borxh, por partneritet publik-privat.

Ne kemi negociuar shumë fort me qeverinë kineze, jemi akoma në negociata për të arritur në terma të arsyeshëm, në mënyrë që vërtetë të financojmë dhe të ndërtojmë rrugën e Arbrit. Dhe ne do ta ndërtojmë rrugën e Arbrit, por nga ana tjetër, këtë do ta bëjmë në mënyrë të atillë që të mos krijojmë gropa të reja.

Janë rreth 26.8 kilometra rrugë për të ndërtuar në këtë aks nacional, ndërtimi i së cilës do të lidhte përreth një orë Tiranën me Maqedoninë. Aktualisht, për të shkuar nga Tirana në qytetin e Peshkopisë duhen rreth tre orë udhëtim.

Qeveria shqiptare hyri në negociata me kompaninë kineze “China State Construction Company”,marrëveshje e cila nuk është konkretizuar përfundimisht për shkak të kushteve të kompanisë kineze.

Rruga fillon në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, mbasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga ARRSH-ja, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë.

Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 ml, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 ml.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat