Shkodra i jep lamtumiren e fundit Naile Hoxhës

Shqipëria

Shkodra i jep lamtumiren e fundit Naile Hoxhës

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 00:33
Shkodra i jep lamtumiren e fundit Naile Hoxhës

Qytetarë shkodranë, dashamirës të artit e muzikës i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistes së merituar Naile Hoxha.

Homazhet në nderim të saj janë bërë në hollin e Bashkisë së Shkodrës, nën tingujt e interpretimeve të saj, ku përveç qytetarëve të shumtë, njerëzve të artit e kulturës, familjarëve e të afërmve, kanë bërë homazhe dhe prefekti i qarkut Shkodër dhe nënkryetarja e bashkisë (kryetarja ndodhet jashtë vendit) që i kanë shprehur ngushëllime vajzës së artistes dhe të afërmve të tjerë.

Ndërsa siç pohojnë të afërm të artistet, në përcjelljen për në banesën e fundit, në varrezat publike të Stom Golemit në Shkodër kanë munguar përfaqësues të pushtetit vendor apo qendror, madje askush nuk ka thënë gjë për kontributin 60-vjeçar e kësaj këngëtareje në muzikën popullore.

Ajo që ka bërë përshtypje negative tek qytetarët e Shkodrës ka qenë mungesa e plotë e përfaqësuesve apo drejtuesve të Ministrisë së Kulturës në homazhet apo varrimin e artistes. Askush nuk ka qenë i pranishëm zyrtarisht as nga dikasteri i kulturës, as nga Ansambli Shtetëror i Këngëve e Valleve Popullore ku ajo punoi për rreth 50 vite.

Fadil Kraja shprehet se Naile Hoxha meritonte më shumë, pasi arti e kultura shqiptare meritojnë më tepër se sa bëhet për ta. Duhet të kujtoheshin më parë për këtë zë melodioz që i dha shumë këngës popullore në tërësi e veçanërisht asaj shkodrane.

Sipas artistëve e qytetarëve, admirues të kësaj këngëtareje, ajo meritonte më shumë kur ishte gjallë por dhe sot në ndarjen nga jeta, ku askush nga shteti nuk është kujtuar qoftë dhe për të thënë dy fjalë për kontributin e kësaj këngëtareje të madhe me aktivitet artistik brenda e jashtë vendit ku ka interpretuar si soliste e ansamblit shtetëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat