Vetung-u merr 88 vota, si do të spastrohet sistemi i drejtësisë

Shqipëria

Vetung-u merr 88 vota, si do të spastrohet sistemi i drejtësisë

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 08:19
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi miraton vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si Veting-u, në një seancë që konfirmoi njëherësh edhe koalicionin qeverisës PS-LSI-PDIU. Opozita e braktisi sallën vetëm 20 minuta para se 88 deputetët e shumicës të votonin në parim dhe nen për nen projektligjin. Kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, abstenoi duke u rreshtuar zyrtarisht përkrah opozitës, pavarësisht se krisjet u dukën disa muaj më parë. Të djathtët u larguan nga seanca në orën 19:15, në shenjë proteste, menjëherë pas fjalës së deputetit Eduard Halimi. Situata u tensionua edhe nga fjalimi i paparashikuar të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, i cili tha se nuk bindte dakord me qëndrimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha për projektligjin e Veting-ut. Në fillim ishte parashikuar që seanca e jashtëzakonshme do të zgjaste deri në mesnatë, për shkak se ishin parashikuar të flisnin shumë deputetë, 20 nga të cilët nga radhët e shumicës. Gjatë diskutimeve folën vetëm 7 deputetë, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Për Partinë Socialiste foli vetëm Pandeli Majko, ndërsa për Partinë Demokratike, Eduart Halimi prezantoi qëndrimin e të djathtëve, duke paralajmëruar se PD-ja nuk do të heqë dorë nga përpjekja e saj për të ashtuquajturën betejë kushtetuese. Kjo nënkupton, dërgimin e ligjit të Veting-ut në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, projekti është antikushtetues dhe nuk reflekton asnjë nga rezervat e opozitës për pikat ku sipas tyre sanksionohet kapja e sistemit të drejtësisë nga politika. Kryeparlamentari Ilir Meta foli në emër të grupit të LSI-së, Fatmir Mediu për grupin e Partisë Republikane dhe Mesila Doda në emër të grupit të PDIU-së. Gjatë paradites të së martë PS-ja dhe PD-ja mblodhën grupet parlamentare për të diskutuar dhe unifikuar qëndrimet që do të mbaheshin në seancën e jashtëzakonshme. Në përfundim të mbledhjes, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, paralajmëroi atë që do të ndodhte në seancën e pasdites; votën e unifikuar të shumicës për projektligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe PD-ja kishte vendosur të mos ndryshonte qëndrim, por të mbronte amendamentet e saj me pretendimin se drafti aktual i Veting-ut është antikushtetues.

Votojnë edhe të “pabindurit”

Në seancën e jashtëzakonshme të ditës së martë ishin të pranishëm edhe grupi i deputetëve që shpesh janë cilësuar si “të pabindurit dhe problematikët” e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për dy deputetët e përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi dhe Armando Prenga, por edhe për ata që ende ndodhen aty, Ben Blushi e Mimoza Hafizi. Të katërt bashkuan votat me shumicën pro projektligjit për Veting-un. Ndonëse njihen për antagonizmin e tyre brenda grupit, ata nuk kanë munguar në seancat kur në rend dite ka qenë reforma në drejtësi, madje votuan edhe ndryshimet kushtetuese më 22 korrik. Presioni i shtuar i ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin ndaj klasës politike shqiptare për të kryer me sukses reformën në drejtësi, të bën të mendosh që vota pro Veting-ut e “të pabindurve” është më tepër bindje ndaj ndërkombëtarëve se sa një afrim me kreun e PS-së, Edi Rama. Nga ana tjetër, seanca e djeshme nxori në pah edhe njëherë marrëveshjen e prishur mes Ramës dhe Vangjel Dules, pasi ky i fundit abstenoi. Një tjetër “rrjedhje” nga radhët koalicionit ishte edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili zgjodhi të braktisë sallën së bashku me opozitën. Ndërsa deputetja e Partisë Kristian Demokrate, Mirela Ferracaku votoi pro këtij drafti.

Kur fillon dhe çfarë parashikon Veting-u

Shpesh e kanë quajtur “Thembra e Akilit” të reformës në drejtësi dhe jo më kot shkaktoi kaq shumë polemika deri sa u votua. Rivlerësimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke u bazuar në kriterin e pasurisë, kontrollit të figurës dhe profesionalizmit shihet si një nga shtyllat kryesore në të cilën do të mbështet reformimi i sistemit të drejtësisë. Me anë të tij synohet të pastrohet sistemi nga korrupsioni, ndërsa menjëherë pas miratimit do të nisë krijimi që do të kryejë këtë proces. Në nenin katër të ligjit të votuar dje në Parlament thuhet se procesi i rivlerësimit kryhet mbi bazën e tre kritereve; vlerësimi i pasurisë; kontrolli i figurës, dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Veting-u do të kryhet nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë, por Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet që vendosin për vlerësimin përfundimtar të subjekteve të rivlerësimit. Më tej, në pikën tre të ligjit, thuhet se procesi i rivlerësimit fillon menjëherë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Kur çështja është gati për t’u shqyrtuar, institucionet e rivlerësimit vendosin brenda një afati sa më të shpejtë të mundshëm. Çështjet për rivlerësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, do të trajtohen me përparësi në kohë nga institucionet e rivlerësimit. Po në nenin katër thuhet se dy institucionet që do të kryejnë Veting-un, Komisioni dhe Kolegji i Apelimit, ushtrojnë funksionet e tyre si institucione të pavarura dhe të paanshme, mbi bazën e parimeve të barazisë përpara ligjit, të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë.

 SHBA: Miratoni në kohë edhe ligjet e tjera

Ambasada e Shteteve t? Bashkuara, e cila prej dy vitesh ka qenë në krye të këtij procesi të rëndësishëm, ka përshëndetur Parlamentin shqiptar për votimin me 88 vota të ligjit që i hap rrugë zbatimit të ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 22 korrik. Me anë të një komunikate për mediat, ambasada thotë se e “mirëpret vendimin e Parlamentit të Shqipërisë p?r t? miratuar ligjin e par? p?r zbatimin e reform?s n? drejtësi. Ky ligj i r?nd?sish?m do t? fillojë procesin e rivlerësimit t? prokurorëve dhe gjykatësve”. Më tej, ambasada amerikane përgëzon vetëm ata deputetë që votuan ligjin, ndërsa bën thirrje që të miratohen sa më shpejt edhe projektligjet e tjera, si ai për institucionet dhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. “P?rg?zojm? ata an?tar? t? Parlamentit, t? cil?t votuan n? favor t? k?tij hapi t? r?nd?sish?m p?r zbatimin e amendamenteve kushtetuese t? aprovuara unanimisht m? 22 korrik. Presim t? shohim aprovimin e plot? dhe n? koh? t? ligjeve të tjera p?r zbatimin e k?saj reforme kritike q? g?zon mb?shtetjen e shumic?s d?rrmuese t? shqiptar?ve”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

 Meta: Veting-u, jo për hakmarrje politike

Ndonëse nuk ishte parashikuar kreu i Kuvendit mbajti një fjalim jashtë radhe në seancë, ndërsa që në fillim kritikoi klasën politike shqiptare se është shumë e vonuar për votimin e Veting-ut dhe “gishtin” e drejtoi nga opozita. “Jemi shumë vonë për miratimin e ligjit në raport me procesin e reformës, por në mënyrë të veçantë, në raport me plotësimin e detyrimeve tona në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sepse jo vetëm ky ligj, por edhe disa ligje të tjera kyçe, normalisht duhet të raportoheshin me datën 1 shtator si të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë”, u shpreh Meta, i cili më tej tha se është i keqardhur që të gjitha javët që ishin në dispozicion nuk u shfrytëzuan në mënyrë efektive. “Pritjes” dhe pretendimeve të opozitës për konsensus edhe për këtë ligj, Meta kryeparlamentari u përgjigj se diçka e tillë nuk do të ndodhë. “Për të gjithë ata të cilët përmendin konsensusin e 21 korrikut dhe apelojnë në vazhdimësi për konsensus, dua t’u bëj të qartë se ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës”, ka thënë Meta. Dhe ky konsensus, sipas tij, ka të bëjë me legjitimitetin e reformës në drejtësi, me stabilitetin e vendit dhe me besueshmërinë e të gjithë procesit. “Një Parlament me kaq shumë probleme, me kaq shumë ngjarje të shëmtuara që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, që e kanë dëmtuar imazhin e vendit në mënyrë të jashtëzakonshme, nuk do të pranonte t’i vinte një njollë tjetër këtij Parlamenti dhe të gjitha proceseve demokratike në vend pas 26 viteve tranzicion dhe pluralizëm”, tha kreu i LSI-së. Kundërshtimeve dhe shqetësimeve të Partisë Demokratike se disa institucioneve kapen nga qeveria, Meta i injoroi duke thënë se çdo lloj opozite kështu do të bënte duke bërë thirrje që ligji të votohet pa mëdyshje. Në fund të fjalës së tij, Meta shoi çdo dyshim se Veting-u nuk do të përdoret për të goditur kundërshtarët politikë të njërit apo tjetrit kamp, pasi sipas tij ai që do të tentoi do të përfundonte shumë keq. “Nuk besoj se dikush do ta merrte guximin, por edhe po ta merrte jam i bindur që do të përfundonte shumë keq për të përdorur shtetin dhe institucionet për hakmarrje politike”, tha thënë Meta.

Berisha: Të shtyhet votimi. Rama: Askush nuk do t'i shpëtojë drejtësisë

Mgjithëse në rendin e ditës ishte votimi i projektligjit të Veting-ut, ish-kryemi nistri Sali Berisha nuk e quajti normale që seanca të mbahej në momentet që sipas tij krimi ka pushtuar vendin dhe Shqipëria është mbjellë në të gjitha anët me kanabis. “Seanca mbahet kur në vetëdijen e çdo shqiptari është shndërrimi i vendit në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan përbën krimin më të rrezikshëm në këto vite”, ka thënë Berisha. Duke argumentuar se Veting-u cenon sovranitetin e vendit pasi u besohet të huajve, Berisha propozoi që ligji të rishikohet nga anëtarët e Komisionit të Posaçëm. Duke nënvizuar kontributin e PD-së në këtë proces, ish-kreu i të djathtëve tha se tashmë është prishur konsensusi. “Opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji, por tani po prishet konsensusi. Është detyrimi ynë që reforma të ketë sukses. Ne përcaktuam një mënyrë tjetër për verifikimin e gjyqtarëve, por ju po e prishni. Konsensusi është sanksionuar në Kushtetutë, por nëse do ta bëjmë Veting-un duhet t'u përmbahemi amendamenteve se e bën Byroja Kombëtare e Hetimit. Ju tani na thoni se do ta bëjnë sekretarët organizativë të Edi Ramës. T'i kemi thyer turinjtë njëherë dhe do të t'i thyejmë prapë me Komisionin e Venecias", tha Berisha, duke paralajmëruar kreun e qeverisë se prishja e konsensusit nuk do të kalojë pa pasoja.

Më tej Berisha akuzoi kryeministrin se ka kriminalizuar të gjitha strukturat e shtetit, duke emëruar në krye të tyre kriminelë. “Urime që zgjodhe Arben Ndokën, president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha. Akuzave të Berishës, Rama iu përgjigj me një replikë të menjëhershme nga foltorja e Kuvendit nga ku tha se drejtësinë nuk e duan ata që kanë probleme me drejtësinë. Ndërsa pretendimeve të PD-së për prishjen e konsensusit, Rama iu përgjigj se nuk mund të ketë konsensus që shkel parimet e ndërkombëtarëve. “Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë”, tha Rama, i cili më tej nënkuptoi se Veting-u, ashtu si ndryshimet kushtetuese, janë më tepër vullnet i ndërkombëtarëve se sa vetë i politikës shqiptare. “Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus ‘alla shqiptarçe’ që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se askush nuk do t’i shpëtojë sistemit të drejtësisë që do të ngrihet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat