Pensionet e pedagogëve, si do të llogariten nga paga

Shqipëria

Pensionet e pedagogëve, si do të llogariten nga paga

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 08:38
Ilustrim

Një vendim i ri i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave për pensionet suplementare të punonjësve të universiteteve me grada shkencore, do të prekë më tepër se 1000 profesorë, ndërsa ndryshimet përcaktojnë masën e kontributeve që duhet të derdhin profesorët pranë ISSH¬- së dhe përfitimet nga pensionet suplementare. Nga vendimi përfshihen institucionet jopublike, universitetet, akademitë, kolegjet universitare, kolegjet profesionale të larta si dhe institutet, qendrat e agjencitë e kërkimit shkencor të akredituara.

Paga referuese

Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese do të llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të ushtrimit të titullit, ndërsa si pagë bazë do të jetë ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Për efekt të llogaritjes së përfitimit, për titujt “Profesorë” dhe “Drejtues kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, pagë referuese e titullit do të merret ajo për titullin “Profesor” në institucionet e arsimit të lartë; “Profesorë të asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, sipas pikës 3, të nenit 2, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, pagë referuese e titullit do merret ajo për titullin “Profesor i asociuar” në institucionet e arsimit të lartë; “Docent” dhe “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këta tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”, pagë referuese e titullit do merret ajo e pozicionit “Lektor” në institucionet e arsimit të lartë.

Masa e pensionit

Sipas vendimit të ri, masa e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i masës së pensionit të caktuar sipas ligjit, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Për personat, të cilëve e drejta për pension suplementar, sipas këtij ligji, u lind pas hyrjes në fuqi të tij, ndërsa pensioni i pleqërisë u llogaritet sipas dispozitave në fuqi deri në 31.12.2014, shuma e pensionit të pleqërisë plus pensionin suplementar nuk mund të jetë më e lartë se dyfishi i masës mujore të pensionit të pleqërisë dhe shtesës së pensionit të pleqërisë sipas nenit 33, në momentin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.

Dokumentet

Vendimi përcakton se personat e interesuar për të përfituar pension suplementar, duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore ku kanë qendrën e tyre të banimit kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm; fotokopje të kartës së identitetit; fotokopje të noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit ose vërtetim për dhënie titulli nga komisioni i kualifikimit shkencor apo nga komisioni i vlerësimit të titujve dhe vërtetim, lëshuar nga qendra e punës, për pagën referuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat