Leskaj në Strasburg: Kuvendi, kontribut të veçantë në avancimin e axhendës evropiane

Shqipëria

Leskaj në Strasburg: Kuvendi, kontribut të veçantë në avancimin e axhendës evropiane

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 20:28
Asamblea Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg

E pranishme në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg,nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, evidentoi disa nga reformat më të rëndësishme të ndërmarrë nga Shqipëria gjatë kohëve të fundit dhe që dëshmojnë progresin e vendit.

Nënkryetarja e Kuvendit e vuri theksin te reforma administrative-territoriale, miratimi i ligjit për dekriminalizimin dhe reformës në drejtësi me konsensus si miratime madhore parlamentare që kanë patur efekt ne jetën politike e sociale shqiptare.

“Kuvendi miratoi me konsensus të plotë reformën kushtetuese që i ka hapur rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Së fundmi, ne miratuam edhe ligjin e Vetting-ut dhe shpresojmë që të ecim sipas axhendës së parashikuar. Një sistem drejtësie më i mirë dhe më efecient do të na japë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, fenomene që prekin rajonin tonë”, – shtoi Leskaj.

Gjithashtu, Leskaj theksoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin me institucionet e pavarura dhe shoqërinë civile, duke forcuar kështu rolin mbikëqyrës ndaj institucioneve ekzekutive e ligjzbatuese ne vend.

Në këtë kontekst, Leskaj, tha se Kuvendi ka një kontribut të veçantë në avancimin e axhendës evropiane dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

“ Kuvendi ka rritur bashkëpunimin me institucionet e pavarura si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, organizatat e shoqërisë civile dhe me të gjitha grupet e interesit dhe mekanizmat institucionalë. Kuvendi i Shqipërisë po punon ngushtë me përfaqësuesit e këtyre institucioneve ashtu si edhe me shoqërinë civile në mënyrë që të sigurojë se axhenda e të drejtave të njeriut të qëndrojë në krye të prioriteteve tona, që janë gjithashtu thelbësore për procesin e integrimit europian”, – deklaroi ndër të tjera Nënkryetarja e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat