Komisioni miraton p/ligjin “Për prokurorinë”; shtyhet të hënën votimi për SPAK-un

Shqipëria

Komisioni miraton p/ligjin “Për prokurorinë”; shtyhet të hënën votimi për SPAK-un

Më: 16 shtator 2016 Në ora: 12:03
Pamje nga komisioni

(E plotësuar) - Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi miratoi të premten nen për nen dhe në tërësi pr/ligjin “Për prokurorinë”, ndërsa do të votojë të hënën p/ligjin tjetër, për ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion, i parashikuar për sot.

Të dy këto drafte janë pjesë e paketës prej 6 ligjesh, miratimi i të cilave, bashkë me ligjin e vetingut, e bën të zbatueshme reformën kushtetuese të miratuar më 22 korrik.

Pas mbledhjes së sotme, deputeti socialist, Ulsi Manja bëri të ditur miratimin nen për nen dhe në tërësi të ligjit “Për organizimin e Prokurorisë”.

“Diskutimi ishte konstruktiv, dhe debatet u zhvilluan në prani të ekspertëve të huaj dhe vendas dhe përgjithësisht u pranuan dhe u vlerësuan sugjerimet dhe vërejtjet e disa anëtarëve, por mund të themi se tashmë ligji konsiderohet i mbyllur.
Për sa i takon pr/ligjit për SPAK, Manja tha se ai do të votohet te henen, sapo te behet gati nga ekspertët e OPDAT-t, të cilet po punojnë mbi komentet dhe sugjerimet për kete draft, të dakortësuara dje në komision.

Ne pergjigje te interesit te medias, Manja sqaroi se funksionimi i prokurorisë është një çështje e mbyllur që me Kushtetutën e votuar më 21 korrik. “Roli i këtij organi përcaktohet qartë në Kushtetutë, e cila parashikon pavarësinë e prokurorit, që është zot i çështjes”, shtoi deputeti Manja.

Opozita nga ana e saj nuk e votoi pr/ligjin, ndonëse për të ajo kishte shprehur kundërshtitë e saj. Disa nga vërejtjet u morën parasysh, por jo mjaftueshëm, sipas PD-se.

”U përpoqëm që të përmirësojmë maksimalisht defektet që ka drafti i paraqitur në komision. Ligji shkon dhe përkeqëson rolin e prokurorit të përgjithshëm duke çuar gravitetin tek prokurorët e prokurorive në rrethe. Kjo nuk është parashikuar në Kushtetutë. Mazhoranca refuzoi që të bënte atë që bëri dje me ligjin për SPAK-n, që të kishte një dispozitë transitore që do të rregullonte vazhdimin e Prokurorit të Përgjithshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, tha per mediat perfaqesuesi i PD-se, Oerd Bylykbashi.

Reforma, Komisioni diskuton ligjin për Prokurorinë

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi është mbledhur sërish sot për të diskutuar ligjin për Prokurorinë. Partia Demokratike është paraqitur me një opinion të vetin ku kundërshton në disa pika projektligjin, që sipas saj bie ndesh me Kushtetutën në disa moment.

Sipas opozitës, në mënyrën siç është konceptuar organi i prokurorisë në këtë ligj, ka një potencial të lartë rreziku për të dizintegruar prokurorinë sepse krijon “ishuj” të pavarur pushteti brenda këtij organi. Në opinionin e saj, PD saktëson se ligji e organizon prokurorinë në disa degë, të cilat ja heqin asaj varësinë nga Prokurori i Përgjithshëm. 

Në një opinion me 31 faqe Partia Demokratike e kishte konsideruar projektligjin si antikushettes në 3 çështje kryesore, ku ngrinte shqetësimin e ndërhyrjes dhe kontrollit nga qeveria të këtyre institucioneve. 

Dy ditë më parë, Komisioni i Reformës në Drejtësi vendosi me konsesus zhvillimin e dy seancave për miratimin e 6 ligjeve për reformën, ndërsa ligjet do të miratohen më datë 29 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat