Vdekja e gruas shtatzënë, flasin për herë të parë mjekët që u arrestuan nga policia

Shqipëria

Vdekja e gruas shtatzënë, flasin për herë të parë mjekët që u arrestuan nga policia

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 14:26
Ilustrim

Tre mjekët gjinekologë, Dritan Deçka, Helidon Krosi dhe Nazmie Ceni, të cilët akuzohen për mjekim të pakujdesshëm, kanë pretenduar para hetuesve se kishin dyshuar se gruaja kishte probleme shëndetësore që lidheshin me zemrën.

Një dyshim i tillë sipas mjekëve ishte konstatuar nisur nga simptomat që ajo kishte paraqitur, gjatë vizitës së gruas dhe konsultës së kryer mes tyre, mbrëmjen e të enjtes me 15 shtator.

Sipas mjekëve gruaja ishte paraqitur rreth orës 22:30, në spital dhe menjëherë asaj i është dhënë ndihma e nevojshme ndërsa është vizituar nga specialistët përkatës.

Ndërkaq pasi është vënë re sipas tyre se ajo nuk kishte probleme që lidhen me patologjinë e barrës, ajo është transferuar për vizitë të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet.

Pas kësaj vizite gruaja ishte dërguar në Sanatorium, ku pas një vizite të shkurtër është rikthyer në maternitet, ku edhe i është nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme. Nga hetimet e kryera nga ana e prokurorisë është vënë re se gruaja nuk i ishte nënshtruar ekzaminimit pamor me eko të barkut, shkruan Shqiptarja.com.

Pikërisht kjo mangësi gjatë ekzaminimeve ka bërë që gruas t’i shkaktohet  hemorragji dhe humbje e madhe e gjakut. Ndërkaq mjekët kanë pohuar para hetuesve se kur kanë vënë re se shëndeti i gruas po rëndohej ata vendosën të bëjnë ndërhyrjen por se nuk mundën të shpëtojnë as atë dhe as fëmijën. Sipas hetuesve pikërisht, për vonesën në ndërhyrjen kirurgjikale si dhe në vonesën në ekzaminimin pamor me ekografi, për mjekët është vendosur edhe masa e ndalimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat