15 parti diskutojnë për draftin e zgjedhjeve, Bushati zëvendëson Abazin

Shqipëria

15 parti diskutojnë për draftin e zgjedhjeve, Bushati zëvendëson Abazin

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 09:24
Tryeza e Grupimit Politik për Zgjedhje të Lira e Demokratike

Tryeza e Grupimit Politik për Zgjedhje të Lira e Demokratike, ku morën pjesë përfaqësuesit e 15 Parti politike kanë kërkuar që të sigurohet një informacion sa më i shpejtë i mundur pranë deputetëve Dashamir Shehu, Agron Duka dhe Nard Ndoka në lidhje me draftin e paraqitur prej tyre në emër të Grupimit në Kryesinë e Parlamentit, si dhe arsyen për tejkalimin e afateve ligjore te kalimit të këtij Drafti në Seancë Plenare. Përfaqësuesit e Partive u shprehen me shqetësim rreth mungesës për arsye personale të Koordinatorit të tryezës zotit Eduard Abazi, mungesë e cila ka bërë që tryeza të mos mblidhet për një kohë të gjatë. Ata propozuan që detyra e koordinatorit ti ngarkohet zotit Zef Bushati deri në rikthimin në Shqipëri të z.Abazi.

Eksperti për Çështjet Zgjedhore Kristaq Kume, ishkryetar i KQZ-së, në diskutimin e tij, i siguroi përfaqësuesit e Partive se kërkesat e tyre përputhen plotësisht me Rekomandimet më të fundit të OSBE-së në lidhje me ndryshimin në formë dhe përmbajtje të Ligjit Zgjedhor, i cili parashikon depolitizimin dhe departizimin e Ligjit Zgjedhor. Tryeza tjetër e Grupimit Politik për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci u vendos të mbahet me datë 1 Tetor 2016 ora 10 e 30.

U ngarkua koordinatori zoti Zef Bushati që të njoftojë të gjithë kryetarët e partive të Grupimit si dhe të marrë kontakte me deputetët për t’u informuar rreth fatit të Draftit të hartuar nga Grupimi dhe i depozituar në Parlament nga deputetet Shehu,Duka dhe Ndoka. Partitë pjesëmarrëse: Partia Fryma e Re Demokratike, Partia Konservatore, Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara, Partia Demokracia e Re Europiane, Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, Partia Ora e Shqipërisë, Partia e Reformave Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia Forca Albania, Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, Partia e Punës e Shqipërisë, Partia Toleranca e Re e Shqipërisë, Partia Lidhja Demokristiane, Partia Aleanca Demokristiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat