Rama: Ndërtesa e vjetër e MPB-së, simbol i rrjepjes së Policisë së Shtetit

Shqipëria

Rama: Ndërtesa e vjetër e MPB-së, simbol i rrjepjes së Policisë së Shtetit

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 11:46
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në përurimin e ndërtesës së rikonstruktuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kreu i qeverisë tha se ndërtesa e vjetër përfaqësonte gjendjen në të cilën ka qenë vetë policia gjatë viteve të fundit.

“Në çdo vend policia është shëmbëlltyra më domethënëse e shtetit. Ajo është pasqyra e parë ku shteti reflektohet në sytë e qytetarëve apo vizitorëve të një vendi. Thjesht sillni ndërmend se që nga 4 dhjetori 1912, kur u krijua e para qeveri e Shqipërisë së pavarur, kjo ministri është pjesë e çdo qeverie. Është e vetmja që është aty e pandryshuar nga asnjë lloj qeverie apo sistemi. Deri pak kohë më parë, këtu kemi qenë së bashku dhe pas kurrizit tim ishte një gërmadhë që i ngjante një kështjelle të pushtuar e të braktisur që kalimtarët i kishin hequr tulla pas tullash. Suvaja e rrjepur e kësaj godine ishte simbolika e rrjepjes së imazhit të Policisë së Shtetit. Që prej ndërtimit të saj në vitin 1930, ajo është konsumuar në vazhdimësi nga pesha e kohës, por edhe nga ndërhyrje që e kanë deformuar dhe degraduar. Në tre vjet kemi investuar më shumë se 25 vjet të marra së bashku në drejtim të rinovimit të komisariateve, mbështetjes financiare dhe logjistike të punonjësve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se teknologjia dhe aplikimi i saj në shërbimin policor ka rritur cilësinë e reagimit të policisë. Rama përmendi numrin e emergjencës, kamerat e trupit dhe aplikacionin “Komisariati Dixhital”.

“Koha e telefonave që nuk përgjigjeshin për emergjenca ka vdekur. Sot i bie numrit 112 dhe një protokoll i tërë vihet në lëvizje për të parë si reagon institucioni ndaj një ankese apo kërkese. Ky numër do të shtrihet me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat