Meta: LSI, e përkushtuar si askush tjetër për stabilitetin e vendit

Shqipëria

Meta: LSI, e përkushtuar si askush tjetër për stabilitetin e vendit

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 11:55
Ilir Meta

Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme që do të zhvillohen në datën 6 nëntor, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në qytetin e Pogradecit.

Gjatë fjalës së tij përpara anëtarësisë në Pogradec, Meta u shpreh se të gjitha strukturat duhet të përfshihen në një debat të brendshëm konstruktiv deri në zhvillimin e zgjedhjeve për postin e kryetarit në datë 6 nëntor.

“Unë besoj që ne gjatë të gjithë kësaj periudhe 2-3 mujore, deri në Konventën zgjedhore të LSI-së, duhet ta shndërrojmë LSI-së në arenë të debatit të brendshëm për të përmirësuar më shumë vetveten drejtim e LSI-së, përfaqësimin e LSI-së, politikat e LSI-së, por mbi të gjitha për të forcuar më tej lidhjen e LSI-së me qytetarët komunitetet kudo ato jetojnë”, u shpreh Meta.

Në vijim të fjalës së tij, Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e përkushtuar për si askush tjetër për stabilitetin e vendit dhe realizimin e reformave për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“LSI ka qenë e përkushtuar si askush tjetër për stabilitetin e vendit, për realizimin e reformave të cilat ndihmojnë vendin që të ecë më shpejt përpara, por të reformave të cilat ndihmojnë në radhë të parë shtresat më të pa përfshirë nga pikëpamja sociale të shoqërisë që të përfshihet dhe që të përfitojnë prej tyre dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim pa u ndalur, sepse LSI-ja nuk mund të jetë një strehë e të privilegjuarve dhe nuk ka asnjë arsye që të jetë e tillë”, tha ai duke shtuar se “LSI duhet të jetë një tribunë e fuqishme e zërit e të gjithë atyre që kanë dëshirë të dëgjohen dhe që kanë nevojë të dëgjohen, dhe që e kanë të domosdoshme të dëgjohen për problemet që kanë dhe mbi të gjitha duhet të jetë një forcë e cila gjithmonë vendos në interes të publikut të gjerë dhe jo të individëve dhe grupeve të ngushta”.

Duke u shprehur për reformat e ndërmarra deri tani kryetari i LIS-së u shpreh se ato duhet të vijojnë në mënyrë bashkëpunuese me qytetarët dhe grupet e interesit që të kenë një rezultat sa më pozitiv.

“Reforma të rëndësishme janë kryer, reforma të rëndësishme po kryhen, duhet të kryhen edhe në të ardhmen, dhe është e rëndësishme që ato të kryhen në një proces gjithnjë më bashkëpunues me qytetarë dhe grupet e interesit, në mënyrë që rezultatet e tyre të jenë sa më pozitive dhe të jenë sa më në interes të qytetarëve, sa më në interes të rinjve, sepse për ne njerëzit nuk janë statistikë”, theksoi kryetari i LSI-së.

Meta në vijim të fjalës së tij ndaloi edhe tek procesi i zgjedhjeve të brendshme në LSI. Ai theksoi se sfida për zgjedhjet e LSI-së është të përmirësojnë më tej drejtimin tonë përmes një debati, jo përmes një procesi formal.

“Sfida jonë për zgjedhjet e LSI-së është të përmirësojnë më tej drejtimin tonë përmes një debati, jo përmes një procesi formal, dhe në këtë mënyrë ne të jemi plotësisht edhe në aspekt të drejtimit, organizimit dhe të përfaqësimit të LSI-së në çdo nivel në atë lartësi të shkëlqyer që janë qëndrimet politike të LSI-së në nivel kombëtar”, u shpreh ai duke nënvizuar se: “Të gjithë e duam mesazhin e LSI-së, të gjithë e duan politikën pozitive të LSI-së, sepse duan stabilitet në këtë vend, duan qetësi në këtë vend, duan paqe në këtë vend, duan zhvillim në këtë vend, duam frymë bashkëpunimi dhe jo përjashtimin dhe armiqësie, dhe duam padyshim edhe një demokraci të vërtetë, një demokraci e cila krijon mundësi për të çliruar sa më shumë energji, nga njerëzit, nga të rinjtë nga qytetarët që sjell shpresë, që sjell besim dhe që i ndryshon gjërat më mirë dhe më shpejt për të ardhmen”.

Ndërsa, Ministrja për Integrimin Europian Klajda Gjosha theksoi në fjalën e saj se procesi i zgjedhjeve brenda LSI-së do të jetë një fushatë shumë intensive për të hartuar platformat më të mira për të gjitha qytetet e vendit.

“Kjo do të jetë një fushatë shumë intensive deri në 6 nëntor dhe ne do të dëgjojmë sot edhe platformën kryesore të Kryetarit të z. Meta, por nuk është vetëm një platformë për gjithë vendit, patjetër që ajo do t’ju përkas dhe do t’ju prek të gjithë juve sepse është e ndarë në qarqe, në qytete, kështu që realisht do të jetë shumë e domosdoshme që ju të dëgjoni sot fjalët e tij kështu që do të ketë mesazhe shumë pozitive”, Gjosha.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti, nënkryetari i LSI-së Endrit Braimllari, deputeti i LSI-së së qarkut Korçë, Piro Kapurani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat