Rama: Paketa e financimit të qeverisë dhe BERZH deri në 300 milionë euro për fermerët

Shqipëria

Rama: Paketa e financimit të qeverisë dhe BERZH deri në 300 milionë euro për fermerët

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 16:56
Edi Rama në Elbasan

Programi për fshatin, i mbështetur nga Fondi Kombëtar i Garancisë, një paketë financimi e qeverisë dhe BERZH deri në 300 milionë euro, në bashkëpunim me bankat, synon zhvillimin e familjes fermere si sipërmarrje.

Për të përfituar nga ky fond, kryeministri Edi Rama, gjatë një takimin sot me fermerë të Elbasanit, i nxiti ata në një ndërveprim aktiv me bashkitë dhe qeverinë, për të pasur projekte të qarta investimi që mbështeten nga bankat.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tha se “Ne kemi ndërtuar një Fond Kombëtar Garancie, që me paratë e shtetit shërben si mbështetje për fermerët që marrin në banka kredi, të cilat i garanton qeveria. Pra, lehtësojmë jashtëzakonisht raportin e fermerit me bankën dhe i japim mundësi fermerit të kreditohet me kushte shumë të favorshme. Duhet që banka të ketë një projekt, një aplikim serioz dhe bindës në mënyrë që të kreditojë fermerin apo grupin e fermerëve. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Potencialisht mund të thithim deri në 300 milionë euro për ju nga bankat në tre vitet e ardhshme. Por, nga ana tjetër kjo do të varet e gjitha nga puna që do të bëhet, sepse këto 300 milionë euro mund të thithen, por mund të mbetën aty, nëse ne nuk jemi aktivë me projekte dhe nëse ndërveprimi mes fermerëve, bashkisë dhe qeverisë nuk funksionon si duhet.”

“Në një bashkëpunim efektiv me pushtetin vendor po i jepet zgjidhje edhe një prej problematikave më të mprehta, të trashëguara tashmë prej 25 vitesh, titujt e pronësi për tokën bujqësore”, ka pohuar Rama.

Në vijim, kryeministri tha se “Bashkitë tona po bëjnë regjistrimin e titujve të pronësisë. Dhe kemi lehtësuar maksimalisht regjistrimin, se më parë duhej të merrje topografin, ta paguajë, pastaj shko në hipotekë, duhej ta paguajë edhe atë. Ne e kemi fare të thjeshtë, secili duhej të shkojë në njësinë administrative dhe vetëm të dorëzojë certifikatën familjare dhe aktin e marrjes në përdorim të tokës mbi bazë të ligjit 7501. “Bashkia angazhon topografin, pra, paguajmë ne dhe jo ju, bëhen matjet, bëhet gati edhe harta e tokës, çohet në hipotekë dhe hipotekohet pa para dhe pa qenë nevoja për të qenë ju dhe bashkia ju dorëzon hipotekën në dorë në momentin e fundit kur duhet vënë firma”, ka pohuar kryeministri Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat