Nikolla me rektorë dhe maturantë: Regjistrimet, 75% të kuotave të lira

Shqipëria

Nikolla me rektorë dhe maturantë: Regjistrimet, 75% të kuotave të lira

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 19:13
Lindita Nikolla

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, fton të gjithë maturantët fitues të regjistrohen pranë fakulteteve, në raundin e dytë të pranimeve në Universitet.
 
Gjatë një takimi me maturantë dhe rektorë pasditen e kësaj të mërkure, Nikolla tha se regjistrimet do të nisin pas dy ditësh, në 23 shtator. 75% e kuotave në universitete janë ende bosh, pasi në raundin e parë u regjistruan vetëm 25% e maturantëve.
 
"Raundi i dytë i aplikimeve fillon në datën 23 shtator. Fillon në një situatë krejtësisht të re, që ka krijuar përmbyllja e raundit të parë. Keni të gjitha mundësitë që të rivlerësoni zgjedhjen tuaj falë transparencës së raundit të parë dhe të mësoni që merita dhe transparenca raundin e dytë të jetë fituese.
 
Ministria e Arsimit vë në dispozicionin tuaj sistemin online, portali i klasifikimit që do të prezantojmë sot. Në përfundim të raundit të dytë, në të njëjtin portal, do të merrni rezultatet tuaja.
 
Ky sistem do të shkurtojë të gjithë periudhën e këtij raundi dhe do të japë mundësinë e shfrytëzimit të çdo kuote të lirë, nëpërmjet një bashkërendimi në rang kombëtar të lëvizjes së vizës. Përpara se të shikojmë të gjithë prezantimin që një grup të rinjsh ka mundësuar për ju këtë portal, më lejoni të falenderoj institucionet e Arsimit të Lartë, rektoratët dhe dekanët, duke qenë e sigurt që edhe raundi i dytë dhe spostimi i vijës së kuqe, do të përmbyllet me sukses.
 
Nuk ka vend për dilema, por për përqendrim për të marrë të gjithë informacionin në të gjitha rrugët dhe për të vijuar më pas me raundin e dytë, për të plotësuar 75% të vendeve që kanë mbetur të lira nga raundi i parë i pranimeve në universitete", u shpreh Nikolla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat