Koalicioni me PS në 2017? Meta: I qëndrojmë deri në fund marrëveshjes së Shkodrës

Shqipëria

Koalicioni me PS në 2017? Meta: I qëndrojmë deri në fund marrëveshjes së Shkodrës

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 10:01
Edi Rama e Ilir Meta

Kryetari i LSI-së i është shmangur pyetjes për vijimin e bashkëpunimit të PS-së edhe përtej këtij mandati. Ai ka kërkuar një angazhim më të madh të policisë dhe prokurorisë lidhur me çështjen e kanabisit

Kur duhen edhe më pak se 8 muaj nga momenti i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka vendosur ende se si do të garojë në këto zgjedhje, në një koalicion me PS-në, me PD-në apo do të krijojë vet një grupim partish politike.

Kryetari i kësaj force, Ilir Meta ka lënë sërish pa përgjigje pyetjen nëse do të vazhdonte apo jo edhe për një mandat tjetër koalicionin me PS-në.

Nga Shkodra, ku afro 4 vite më parë ai së bashku me Ramën do të zyrtarizonin bashkëpunimin e tyre, kreu i LSI-së, ka lënë të kuptohet se e vetmja gjë e sigurt për momentin është mbyllja e këtij mandati qeverisës si pjesë e koalicionit me PS-në.

Kështu pyetjes së gazetarëve nëse LSI-ja do të vazhdojë të jetë në të njëjtin koalicion në këto zgjedhje apo do të jetë larg PS-së, Meta duke iu shmangur thelbit të pyetjes tha “Unë mund t’iu them se interesi im kryesor është i fokusuar për momentin te zgjedhjet brenda LSI-së për sa i takon raportit në koalicion me Partinë Socialiste ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë shumë luajal dhe konstruktiv kësaj marrëveshjeje, që është firmosur pikërisht në Shkodër”.

Ndërkohë që në anën tjetër është PS ajo që me anë të kryetarit të saj ka këmbëngulur disa herë publikisht se së bashku me LSI-në do duhet të përcaktonte fatin e vijimit të koalicionit edhe pas zgjedhjeve të 2017-s.

Në përgjigje të kësaj kërkese, Meta dhe LSI në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur një qëndrim të qartë, duke theksuar se këtë do të vendosin zgjedhësit.

Gjithashtu në prononcimin për gazetarët gjatë vizitës së tij në Shkodër kryetari i LSI-së ka folur edhe për një sërë çështjesh të tjera të mprehta që kanë të bëjnë me qeverisjen e majtë, siç është projektligji i plehrave, goditja dhe largimi i biznesmenit libanez, kanabisi, pranimi në universitete apo edhe Reforma në Drejtësi. Lidhur me mbetjet Meta theksoi se ndan të njëjtin shqetësim me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me sensibilitetin e krijuar për këtë çështje, por theksoi se “qëllimi nuk ka qenë dhe nuk është për të lejuar mbetjet e rrezikshme për të hyrë në Shqipëri, por për të rivënë në punë mijëra punëtorë që prej dy-tri vitesh nuk po punojnë në industrinë e riciklueshme, e cila për shkak të ligjit që u miratua në fillim të kësaj legjislature bllokoi çdo lloj importimi”.

Gjithsesi ai bëri të ditur se ky shqetësim merr zgjidhje me amendamentin që LSI ka paraqitur në parlament për ligjin për mbetjet.

Sa i përket rastit të biznesmenit libanez dhe largimit të investitorëve të huaj nga Shqipëria ai theksoi se cenimi i jetës dhe sigurisë së investitorëve të huaj është një akt shumë i rëndë dhe kërkoi që përgjegjësit të vihen para ligjit.

“Padyshim duhen bërë përpjekje shumë të mëdha për të krijuar një klimë shumë më pozitive të besimit, të sigurisë, jo vetëm fizike, por edhe juridike, për të gjithë investitorët të huaj dhe vendës, pasi kjo është e domosdoshme që të rriten investimet në vendin tonë dhe të zhvillohet më tej ekonomia jonë dhe të rritet punësimi që është shqetësim kryesor ende”, -shtoi Meta.

Ai ka komentuar edhe luftën kundër fenomenit të kanabisit, duke theksuar se policia dhe prokuroria duhet të bëjnë më shumë.

“Nuk është një çështje e re, pra është një çështje që ka ekzistuar edhe më parë dhe në këtë drejtim e kam thënë që është e rëndësishme të bashkohen forcat dhe përpjekjet për t’u përballur sa më seriozisht me këtë fenomen, por edhe për të mos e bërë një debat ekstrem politik dhe këtu natyrisht dhe përveç policisë edhe vetë prokuroria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për të çuar deri në fund çështje të caktuara”, -tha Meta.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se forcat politike po vazhdojnë të punojnë për një klimë bashkëpunuese për të gjitha ligjet për Reformën në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat