Rama thyen heshtjen: Kemi kapacitetet e duhura për mbetjet

Shqipëria

Rama thyen heshtjen: Kemi kapacitetet e duhura për mbetjet

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 13:51
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen sa i takon çështjes së importit të mbetjeve, duke theksuar se i qëndron mendimit të vitit 2013.

Rama shprehet se gjatë qeverisë së PD-së gjithçka ishte jashtë kontrollit dhe tashmë janë krijuar kushtet dhe kapacitetet e duhura për importin e mbetjeve.

"Së pari nëse i referohemi vendimit të tri viteve më parë, po të ktheheshim sërish atje do të bëja të njëjtën gjë. Gjithçka ishte jashtë kontrollit dhe ligji nuk garantonte mbrojtjen e Shqipërisë nga plehrat e rrezikshme. Në vitin 2013 nuk kishte asnjë lloj kapaciteti në infrastrukturë dhe burime ligjore. Çfarë ndodh sot? Sot ka një laborator të standardeve më të larta evropiane. Sot kemi një laborator modern të investuar nga BE që bën të mundur gjithë kontrollin dhe analizat fizike, kimike dhe mikrobiologjike të çdo materiali që hyn në Shqipëri, por kemi edhe një ekip njerëzish edhe ata të trajnuar nga BE”, tha kreu i qeverisë.

Rama dhe Berisha heshtin mbi çështjen e importit të mbetjeve 

Ka nisur me replika seanca për shqyrtimin e projektligjit të mbetjeve, ku ish-kryeministri Sali Berisha ka debatuar me kreun e qeverisë Edi Rama.

Diskutimet mes tyre janë përqendruar në rastin e dhunimit të biznesmenit libanez dhe situatës së drogës në Shqipëri, megjithatë asnjëri prej tyre nuk ka folur mbi çështjen më të rëndësishme të ditës, importin e mbetjeve.

Anulimi i projektligjit të importit të mbetjeve të miratuar nga qeveria Berisha ishte një ndër zotimet kryesore të Edi Ramës, në kohën që ishte lideri i opozitës.

Rama: Goditjen biznesmenit ia dha sistemi yt Sali

Ai sipërmarrës ka ardhur në zyrën time dhe më ka parashtruar nga A te ZH të gjithë kalvarin e zvarritjeve dhe tmerreve të viteve të tëra kur nuk merrte dot zgjidhje për probleme thjesht administrative.  Qeveria jonë ia zgjidhi të gjithë problemet, por papritur e pa kujtuar i dha dajak një gjykatëse që ktheu pronën brenda zonës së investimit dhe e kthen në korrik të këtij viti që bëhet shkak. Ato goditje të atij, ata që ia dhanë, ia dhanë sepse fuqinë e morën nga gjykatat e tua Sali dhe nga gjykatësit e tu Sali dhe sistemi i drejtësisë që ngritët ju të gjithë bashkë dhe me reformën në drejtësi duam ta përmbysim.

Berisha: Mund të bëhemi financues të ISIS-it

Në Shqipëri ISIS-i do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptarë. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë shumë seriozisht. A e lexuat shtypin italian që tha se aeroporti i Ishmit është për transport armësh? Kambanat bien për të gjallët. U kalua nga mushkonjat te aeroporte për trafiqe kriminale. Edhe njëherë u them se kurrë nuk ka qenë më e kërcënuar siguria kombëtare e këtij vendi. Një vend anëtar i NATO-s nuk mund të bëhet kurrë kërcënim. Ne kemi detyrime ndaj aleatëve. Në dhjetëra miliardë dora e zezë e ISIS-it nuk ka asnjë pengesë të shtrihet. Çfarë do të thoni kur ngrihet një sistem për të transportuar armë, drogë e çdo gjë.

Besnik Bare: Shqipëria ka plotësuar kërkesat e industrisë ricikluese

Shfuqizohet neni 22 që linte të hapur importin e mbetjeve për qëllime djegie. Tashmë ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime ruajtje ose asgjësimi në Shqipëri. Procesi i kontrollit dhe doganimit kryhet në jo më shumë se tre pika doganore që kanë kapacitetet për monitorimin e këtyre mbetjeve. Autorizimi për importin e mbetjeve u jepet vetëm subjekteve që janë licencuar për riciklimin e mbetjeve dhe që disponojnë infrastrukturën e duhur për riciklimin e mbetjeve. Në listën që ka qenë kishte komponentë të plumbit. Tani ky element nuk do jetë. Lista nuk do të jetë as 25 por do të jetë shumë e vogël. Ka dhe një nen për transparencën.

Paloka: Rama të jetë i pranishëm në seancë 

Ndërkohë që jashtë po zhvillohet protesta e shoqërisë civile kundër importit të mbetjeve, në Kuvend nisi seanca për shqyrtimin e projektligjit në fjalë. Kreu i Kryetari i Grupit parlamentar Edi Paloka kërkoi që kryeministri të prononcohet në lidhje me këtë pr/ligj duke marrë pjesë në punimet e seancës. “Rama të vijë në Kuvend të diskutojë për pr/ligjin. Cili është qëndrimi i kryeministrit për këtë pr/ligj? Të prononcohet!”, tha Paloka. Kreu i Kuvendit Ilir Meta u përgjigj duke thënë se “nuk mund të përcaktojmë ne axhendën e kryeministrit”, duke shtuar se janë përfaqësues të tjerë të qeverisë që mund të japin përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat