Shqipëria kërkon legalizimin e kanabisit dhe prostitucionit

Shqipëria

Shqipëria kërkon legalizimin e kanabisit dhe prostitucionit

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 22:41
ilustrim

Dhoma e Tregtisë mbështet legalizimin e kanabisit. Në një kohë, kur nga dita në ditë policia zbulon parcela, thuajse në çdo skaj të vendit dhe deklaron se po lufton me çdo kushte bimën e “mallkuar”, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë thotë se këto imazhe duhet të ndalen, duke i hapur rrugë ligjërimit të kësaj bime dhe kontrollit të saj.

Në një intervistë për ”Shekulli”-n, ai shpjegon arsyet dhe ndikimin që do të ketë procesi i legalizimit të kanabisit. Duke e parë në aspektin turistik, Jaka thotë se turistët e huaj, sidomos ata të vendeve të Bashkimit Europian do të nxiteshin edhe për këtë arsye për të vizituar vendin tonë, ndërsa shton se nuk është ky faktori i vetëm për ta legalizuar atë.

Edhe pse, këtë herë ai vjen me sugjerime për qeverinë për të ndjekur shembullin e vendeve të zhvilluara europiane, si Holanda, në një moment të dytë Jaka do të dalë me propozime specifike, pasi një grup pune është angazhuar për të marrë shembujt më të mirë të legjislacionit evropian. Veç kanabisit, kreu i DHTI-së, ngre edhe idenë për legalizimin e prostitucionit, një nismë që mund ngjallë debat në shoqërinë shqiptare.

Z. Jaka, në një deklaratë të dhënë dje për shtypin, ndër të tjera veçoni edhe idenë për legalizimin e kanabisit. Cilat janë motivet apo arsyet që ju dilni me këtë propozim sot?

Ideja ime ishte shumë e thjeshtë për legalizimin e kanabisit. Të legalizohet, duke u nisur nga praktikat ligjore që ka, qoftë Holanda, qoftë Greqia, apo edhe iniciativat e fundit që ka ndërmarrë edhe Italia. Pra, janë eksperienca evropiane nga vende anëtare të BE, të cilat e praktikojnë, dhe këto sisteme ligjore duhet të lejojnë që edhe Shqipëria te ketë ndonjë qasje tjetër, sidomos për ofertat turistike) që të lejojnë përdorimin sipas ofertës që ka Holanda. Ne jemi shumë të lumtur në qoftë se turisti që viziton Shqipërinë, ta frekuentojë atë, ashtu siç frekuenton Amsterdamin.

Do ketë kjo ndikim për ekonominë Shqiptare?

Është më se normale që do të ketë impakt për ekonominë shqiptare, sepse shteti do ta kontrollojë dhe monitorojë këtë bimë, ndërkohë sa u përket taksave, do t’i mbledhë ato veçmas për këtë lloj sektori të ekonomisë dhe normalisht që do të ketë edhe ndikime të tjera pozitive, të cilat do të kenë të bëjnë me rritjen e numrit të turistëve, apo dhe impakte të tjera.

Në fakt, çështja e kanabisit, gjerësisht e diskutuar, e ka ndarë opinionin publik në dy skaje. Të parët janë ata që e kundërshtojnë fort kultivimin apo përdorimin e kanabisit, dhe pala tjetër që këmbëngul për legalizimin… Ne shqiptarët kemi një parim që mundohemi të kundërshtojmë çdo lloj iniciative që del, e që nuk është shpikur nga ana jonë. Në këtë aspekt, ne duhet të jemi më qytetarë për të pranuar çdo gjë që Evropa e ka pranuar dhe e implementon me sukses. Pra, duhet të jemi më liberalë me veten dhe më pozitivë me tjetrin.

Mendoni është se koha e duhur për të miratuar përdorimin legal të kanabisit?

Unë mendoj që jemi shumë të vonuar sepse duhet ta kishim bërë shumë më herët, dhe njëkohësisht sugjerimet dhe propozimet e mia kanë qenë edhe për shërbimin e femrës, ashtu siç e ka Holanda, Gjermania dhe Austria, të cilat e kanë të legalizuar, të kontrolluar, e ku elementet e sigurisë janë maksimum. Por, njëkohësisht, kjo ka sjellë një faktor tjetër me ndikim pozitiv në buxhetin e shtetit për taksën që paguhet.

Ju vetë, keni bërë propozime specifike për këtë nismë apo u qëndroni sugjerimeve?

Jo, realisht nuk kemi bërë propozime, por realisht kemi ngritur një grup pune, i cili do të negociojë me legjislacionet e vendeve që i kanë, për të marrë praktikat e tyre dhe për t’ia propozuar qeverisë shqiptare.

Incidenti

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ka dënuar dje, çdo lloj presioni dhe dhune ndaj investitorëve të huaj. Në një reagim për mediat pas largimit të investitorit libanez, kompania e të cilit do të kryente një investim prej 450 milionë dollarë në vendin tonë, Jaka tha se Shqipëria duhet të krijojë mundësi dhe klimë të përshtatshme për investimet e huaja.

“Incidenti i ndodhur kohët e fundit është një incident që dënohet nga të gjithë dhe në mënyrë të veçantë nga dhoma e tregtisë, pra është një incident që nuk duhet t’i ndodhë vetëm një investitori të huaj por asnjë investitori dhe qytetari shqiptar dhe në rastin konkret është shumë e rëndësishme që ne të fokusohemi për të bërë një analizë me qetësi dhe të presim edhe rezultatet e hetimit sepse është shumë e rëndësishme që mos promovojmë paraprakisht efekte dhe pasoja pa e ditur se kush ka qenë edhe shkaku i goditjes.

Kemi një iniciative investimi që në 2008 dhe që akoma nuk është implementuar. Është shumë e rëndësishme që ne të ndërgjegjësohemi për seriozitetin e investitorëve të huaj”, tha ai. Kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka foli edhe për ligjin e importit të mbetjeve duke u bërë thirrje deputetëve ta votojnë draftin e ri si domosdoshmëri për fuqizimin e industrisë së riciklimit si dhe nuk sjell dëme ekologjike për vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat