Bashkitë janë kundër importit të mbetjeve

Shqipëria

Bashkitë janë kundër importit të mbetjeve

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 08:54
Ilustrim

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve nga jashtë, dhe e vlerëson tërësisht të gabuar qasjen, argumentat dhe logjikën për të miratuar një ligj të tillë.


Shoqata e Bashkive të Shqipërisë vlerëson, se së pari procesi i përgatitjes së këtij ligji nuk është shoqëruar me konsultime të gjera, të hapura, dhe me nje proces transparent. Ky proces duhet të fillonte së pari me konsultime me organet e pushteti vendor, me ekzekutivin dhe legjislativin e 61 bashkive dhe 12 qarqeve dhe të merrte dakortësinë e tyre dhe të gjitha grupeve të interesit që perfaqësojnë të zgjedhurit vendorë, por po jo vetëm.

Procesi i hartimit të këtij ligji është bërë në cikël të mbyllur gjeografikisht dhe cikël të mbyllur pjesëmarrjeje, duke shmangur qellimishtë konsultimet dhe debatet e hapura mbar kombetare.

Shoqata e Bashkive shpreh keqardhjen e madhe që për interesa politike dhe biznesi, të krijohet alibia se ky ligj duhet pasi nuk performojnë mirë bashkitë dhe shkaku tjetër kishte të bënte me faktin se kishte shumë bashki dhe komuna para reformës territoriale që nuk menaxhonin mirë vend-grumbullimet e mbetjeve.

Reformës Administrative nëpërmjet së cilës u krijuan 61 njësi vendore të reja me shtrirje hapësinore më të gjerë dhe numër popullsie mjaft më të madh sesa të mëparshmet, pritej t’i krijoheshin kushte dhe klimë më e mirë për bizneset e riciklimit, duke performuar më mirë dhe duke ndërtuar një sistem të menaxhimit të integruar të mbetjeve, çka do të sjellë më shumë lëndë të parë vendase për këtë industri, duke bërë të panevojshëm importin, pra të panevojshëm këtë ligj.

Megjithatë, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë vlerëson se standartet e tashme të punës në qeverisjet vendore në përgjithësi jane ende larg mundësive, kërkesave të biznesit dhe qytetarëve dhe sidomos krahasuar me vendet në rajon dhe Evropë, kryesisht në fushën e mjedisit dhe manaxhimit të mbetjeve.

Por, kjo vjen së pari nga difektet e sistemit, nga mungesa e kudrit ligjor dhe rregullator, nga mungesa e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërinstitucional, nga mungesa e vullnetit të pushtetit qëndror për të mbështetur bashkëpunimin ndërbashkiak, për menaxhimin e mbetjeve dhe vendgrumbullimin e tyre mbi baza rajonale. Shoqata e Bashkive vëren me keqardhje, gjithashtu, politika të dobëta të qeverisë qendrore dhe një mungesë vizioni për çeshtjet mjedisore dhe ajo që është më e rëndësishme, faktin se qeveria qendore nuk financon bashkitë për sistem me standarde të menaxhimit të mbetjeve, por orienton financimin në projekte butaforike dhe imazheri. Ndaj ne kërkojmë që qeveria së pari të decentralizojë dhe të forcojë me çdo instrument bashkitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat