Bushati dhe Mogherini flasin për reformat në Shqipëri

Shqipëria

Bushati dhe Mogherini flasin për reformat në Shqipëri

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 12:36
Foto nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadër të Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini.

Ministri Bushati dhe Mogherini shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.  Ata gjithashtu u ndalën në arritjet e rëndësishme në vend, veçanërisht përmbushjen e prioriteteve kyçe për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Përfaqësuesja e Lartë vlerësoi angazhimet e ndërmarra për përmbylljen e paketës kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi, si dëshmi e vullnetit të qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces.

Ministri Bushati konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat shtet-konsoliduese dhe theksoi se në këtë kontekst, miratimi me unanimet i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi dhe fillimi i procesit të zbatimit të saj përfaqëson një arritje domethënëse në këtë drejtim dhe përbën bazë solide për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Përfaqësuesja e Lartë rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për këtë reformë jetike për vendin, zbatimi i së cilës është vendimtar edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, u vlerësua roli konstruktiv dhe pro-aktiv i Shqipërisë dhe linjëzimi i saj i plotë me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Frank-Ëalter Steinmeier, dy ministrat çmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe angazhimin e përbashkët për t’i avancuar më tej ato, në vijim të hapave pozitive të viteve të fundit. Dy Ministrat u ndalën në rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në agjendën evropiane, zhvillimet më të fundit në rajon, sfidat e sigurisë dhe rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme,.

Ministri Steinmeier vlerësoi rolin e posaçëm që Shqipëria luan në rajon, e në këtë kuadër, dy ministrat evidentuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Bushati e njohu kolegun gjerman me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për përmbylljen e paketës ligjore të reformës në drejtësi, si një hap kyç për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Ministri Steinmeier theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e reformave shtet-konsoliduese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në funksion të rrugëtimit evropian dhe sundimit të ligjit në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat