Bushati flet për procesin e integrimit: Me rëndësi, vullneti politik

Shqipëria

Bushati flet për procesin e integrimit: Me rëndësi, vullneti politik

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 11:02
Pamje nga takimi

Ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë është e lidhur ngushtë me koordinimin e brendshëm dhe vullnetin politik mes palëve.

Studentët e Shkollës Verore Evropiane, që çeli dyert dje në Tiranë, ndoqën paraditen e sotme referime të zyrtarëve të lartë, njohës të integrimit, të cilët, theksuan se më shumë se një proces teknik, integrimi është bashkëpunim dhe ndërveprim i brendshëm politik.

Diskutantët që morën fjalën duke iu referuar rrugëtimit europian të Shqipërisë në 20 vitet e fundit, theksuan se vonesat në këtë proces kanë qenë më shumë pasojë e problemeve të brendshme, se sa e vullnetit të vendeve anëtare të BE-së.

Duke u ndalur tek ecuria e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit(MSA) e nënshkruar më 12 qershor 2006, e cila në themel ka parimet themelore mbi të cilat mbështetet anëtarësimi në BE, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nënvizoi se për nënshkrimin e këtij dokumenti Shqipëria humbi kohë në tryezën e diskutimeve, kryesisht për shkak të problemeve të brendshme të saj.

“Para zgjedhjeve të 2001-t, BE mandatoi Komisionin për fillimin e procesit të diskutimit për MSA-në. Por, pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria u përfshi në një situatë të pastabilizuar politike, e cila e zgjati ndërveprimin mes vendeve anëtare dhe Komisionit për rreth një vit e gjysëm. Kjo pasi KE-së i duhej kohë për të përcaktuar mandatin e negociatave me Shqipërinë”, tha Bushati.

Duke e konsideruar Stabilizim-Asocimin, një proces ku “ne e shohim veten si në pasqyrë”, Bushati pohoi se ishin këto probleme arsyeja që në vitet 1995-’96 Shqipëria nuk arriti të merrte MSA-në, si Bullgaria dhe Rumania. Pikërisht, për këtë arsye për Shqipërinë ka pasur disa raporte fizibiliteti që përben rastin e parë dhe te vetëm. Po ashtu per këtë arsye Shqipërisë iu deshën disa kohë për statusin e vendit kandidat, ndaj dhe ecuria jonë në këtë proces, varet më shumë nga vullneti politik, se sa nga vullneti i vendeve anëtare, theksoi Bushati. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat