Meta takon ish- kancelarin Schroeder: Duhet evituar çdo retorikë konflikuale në të mirë të integrimit në BE

Shqipëria

Meta takon ish- kancelarin Schroeder: Duhet evituar çdo retorikë konflikuale në të mirë të integrimit në BE

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 12:24
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Gerhard Schroeder

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi sot një mëngjes pune me ish-Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Gerhard Schroeder, i cili shoqërohej prej Raporterit për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein dhe Ambasadores së Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz.

Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen ish-Kancelarit gjerman, Schroeder në Tiranë dhe shprehu mirënjohjen e thellë për vëmendjen dhe mbështetjen e pa ndalur të Gjermanisë ndaj zhvillimit ekonomik dhe avancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Kancelari Schroeder u shpreh se Gjermania do t’i qëndrojë fjalës së saj për të mbështetur avancimin e Shqipërisë drejt procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe vuri në dukje se “ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të marrë vendimet e duhura, por edhe t’i zbatojë ato”.

Duke iu referuar reformës konsensuale të sistemit të drejtësisë, Schroeder nënvizoi se ka arsye të mjaftueshme për të qenë pozitivë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit.

Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se legjitimiteti i reformës në drejtësi që buroi nga arritja e konsensusit gjatë muajit korrik “duhet pasuar nga një proces thelbësor i dekriminalizimit total të mbarë jetës politike e parlamentare shqiptare me qëllim që në parlamentin e ardhshëm të sigurohet integriteti dhe përfaqësimi i duhur e dinjitoz i popullit shqiptar”.

Në këtë drejtim u nda bindja e përbashkët se duhet punuar më shumë për të evituar çdo retorikë konfliktuale dhe për të rritur besimin mes palëve, veçanërisht në trajtimin e çështjeve madhore të integrimit evropian. Në përfundim, Schroeder dhe Meta biseduan mbi situatën ekonomike në rajon, ku u vlerësua Procesi i Berlinit dhe rëndësia e avancimit të projekteve të ndërlidhjes rajonale, të cilat do të sjellin më shumë investime dhe do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit rajonal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat