Vdekja e policit, dëshmon djali i ish-deputetit: Piva disa gota me një shokë dhe u nisa...

Shqipëria

Vdekja e policit, dëshmon djali i ish-deputetit: Piva disa gota me një shokë dhe u nisa...

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 18:25
Arnold Kolës

“Po vija nga Shkodra në Tiranë dhe nuk e pashë makinën e policisë”. Kjo është dëshmia e Arnold Kolës, djalit të ish- deputetit Ndue Kola, i arrestuar si autor i aksidentit të të dielës së 25 shtatorit, ku u vra një polic e u plagosën 2 të tjerë.

I riu nën avujt e alkoolit përplasi furgonin e policisë që po patrullonte në Kamzë duke i marrë jetën policit Ervin Haxhia si dhe plagosi dy efektivë të tjerë, të komisariatit numër 5, në Tiranë.

Kola, para hetuesve pohoi se po udhëtonte nga Shkodra, drejt Tiranës, pasi kishte konsumuar disa gota alkool me një mik. Ai ka pretenduar se ka kryer një parakalim në të djathtë, ndërsa nuk e kishte kuptuar se para kishte pasur një automjet.

“Isha në Shkodër. Aty piva disa gota me një shok dhe pastaj u nisa për në Tiranë. Gjatë rrugës eca shpejt. Në Kamëz, ndodhi aksidenti ku godita makinën e policisë. Parakalova dy makina në krahun e djathtë. Pashë që kisha një mjet, por nuk e kuptova çfarë ishte. Nuk e pashë makinën e Policisë. Pasi parakalova dy mjetet në krahun e djathtë vendosa të bëj parakalimin tjetër në krahun e majtë, por nuk arrita të kaloj. Aty godita në cep furgonin. Vetura ime u përmbys, ndërsa furgoni i policisë u përplas me një disa vetura që ishin të parkuara anës rrugës”, tha Arnoldi mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 Shtatorit.

Më tej në lidhje me shkakun e aksidentit Kola, ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar se ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa testi i policisë ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur, me 0.57 mg/l alkool në gjak.

Ndërkaq hetuesit dyshojnë se disa prej deklarimeve të të ndaluarit, nuk janë të vërteta, sa i përket mekanizmit të aksidentit dhe vendit ku është goditur mjeti i policisë. Sipas hetuesve, vendi i goditjes nuk përputhet me atë që pretendon autori i aksidentit Arnold Kola. Po kështu hetuesit kanë dyshime se edhe parakalimi në të djathtë mund të jetë një tentativë e tij për t’u justifikuar. Pavarësisht këtyre pretendimeve, kjo nuk ndryshon sipas hetuesve fajësinë e tij, apo përgjegjësinë për aksidentin.

22-vjeçari është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste Ndue Kola të qarkut Shkodër i zgjedhur në vitin 2009. Mbrëmjen e aksidentit, Kola udhëtonte më 140km/h. Nga hetimet konstatohet se shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe gjendja e dehur e 22-vjeçarit gjatë kohës që drejtonte automjetin.

Arnold Kola është ndaluar edhe në vitin 2015 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit  të policisë Kola ka rezultuar nën ndikimin e masës 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat