Komisioni Evropian detyron regjistrimin e lobistëve të BE-së

Shqipëria

Komisioni Evropian detyron regjistrimin e lobistëve të BE-së

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 18:21
ilustrim

Komisioni Evropian propozoi sot, në përpjekje të rritjes së transparencës pas skandalit që përfshiu dy ish-komisionerë, detyrimin e regjistrimit paraprak të çdo lobisti për të patur akses në vendimmarrje në tre institucionet e BE-së.

“Qytetarët kanë të drejtë të informohen rreth personave që kanë ndikim në procesin legjislativ të BE-së. Ne po propozojmë një rregull të thjeshtë, nuk do të zhvillohen takime me vendimmarrës të paregjistruar paraprakisht. Në sajë të regjistrimit, publiku do të jetë i informuar se kush bën lobim, kë përfaqësojnë këta lobistë dhe fondet e derdhura prej tyre”, sqaroi zëvendëspresidenti i ekzekutivit evropian, Frans Timmermans gjatë një konference shtypi.

Propozimit po i kushtohet vëmendje e veçantë ndërsa Komisioni premton se do të marrë në shqyrtim çështjen e José Manuel Barroso, ish-presidentit të ekzekutivit evropian i punësuar nga banka amerikane Goldman Sachs, dhe të ish-koleges së tij Neelie Kroos, e akuzuar se ka mbajtur gjatë mandatit të saj si komisionere për Konkurrencën edhe atë të drejtueses të një kompanie në Bahamas.

Komisioni kërkon në këtë mënyrë shtimin e rregullave që zbatohen tashmë prej tij në Parlamentin Evropian dhe kryesisht në Këshillin e BE-së, që përfaqëson 28 shtetet anëtare në Bruksel.

Në këtë mënyrë të gjithë grupet e interesit që duan të takojnë një komisioner, një anëtar të kabinetit të tij apo drejtorin e përgjithshëm përgjegjës në një fushë të veçantë duhet të regjistrohen në regjistrin e transparencës së Komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat