Kuvend, PD kërkon referendum për plehrat, Ruçi: Nuk ka kaluar ligj për to

Shqipëria

Kuvend, PD kërkon referendum për plehrat, Ruçi: Nuk ka kaluar ligj për to

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 12:32
Edi Paloka

Ka nisur seanca e sotme plenare, ku i pari fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka. Në emër të PD-së, ai ngriti kërkesën për futjen në rend dite, referendumin për importin e mbetjeve dhe të votohet në seancën e sotme.

“Lejimi i importit të mbetjeve në vend cenon interesin publik pasi rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Populli është shprehur edhe më parë kundër importit. Mbi këtë çështje mund të vendosë vetëm populli. Pyetja që duhet të shtrohet është: A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë?”, tha ai

Sipas tij, lejimi i importit të mbetjeve mund të përdoret nga grupet kriminale për të futur mbetje të rrezikshme.

“Në kushtet kur vendi ynë nuk kontrollon dot as ushqimet që futen, e bën të pamundur të besosh se qeveria mund të ndalojë futjen në vend të mbetjeve të rrezikshme. Shumë vende kanë interesa për të larguar mbetjet dhe Shqipëria mund të kthehet në shënjestër për të sjellë mbetje të rrezikshme e të parrezikshme dhe afrimin e asaj që njihet si “mafia e plehrave””, tha ai.

Paloka u shpreh se rruga e vetme është ndalimi total i çdo importi mbetjesh. “Duke qenë se kërkesa përmbush kushtet e parashikuara në Kushtetutë, kërkojmë që kjo çështje me rëndësi të veçantë të shtrohet për referendum dhe të përfshihet sot në rendin e ditës dhe të miratohet”, shtoi ai.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi u përgjigj se ligji i miratuar nuk flet për plehra.

"Është e drejta juaj ta bëni opozitën si të doni, por ju flisni për plehra kur nuk ka kaluar asnjë ligj për plehra, por për lëndë të parë për një industri të caktuar. Flisni për djegie e groposje plehrash, kur ligji që kaluam nuk lejon djegie e groposje, por vetëm riciklim. Ligji kufizon në mënyrë drastike pikat nga do hyjnë, mjetet dhe burimet njerëzore. Bëheni qesharakë kur thoni ne nuk e kemi depozituar kërkesën, por sot ndryshojeni rendin e ditës, sot futeni në rendin e ditës dhe sot votojeni", tha Ruçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat