Beqaj: Në 3 vite, përmbushëm premtimet tona në kardiologji

Shqipëria

Beqaj: Në 3 vite, përmbushëm premtimet tona në kardiologji

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 21:02
Pamje nga konferenca

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka marrë pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Kardiologjisë: “Në zemër të shëndetit”, të organizuar në kuadrin Ditës Botërore të Zemrës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shëndetësisë ka pohuar se investimet në këtë sektor kanë qenë të shumta duke filluar nga investimet në aparatura, ngritjen e 14 kabineteve të reja të kardiologjisë në rrethe e në Tiranë, uljen e çmimit të barnave, si dhe vënien në funksion të urgjencës kardiologjike 24 orë në 7 ditë të javës.
 
Kreu i shëndetësisë ka pohuar se gjatë viteve të fundit kryerja e procedurave mini-invazive në fushën e kardiologjisë është rritur ndjeshëm, dhe kjo, falë edhe bashkëpunimit publik-privat.

"Nëse sot, ne në procedurat e kardiologjisë miniivazive mbulojmë rreth 65% me para publike, kjo shpreh faktin, në mos gaboj rreth 1/5 të realizohen në spitale private.
 
Pra, nëse do të merrnim ato që u paraqitën, 65% me 35% është financimi publik-privat, por realizimi në strukturat publike dhe strukturat jo-publike, jemi pak a shumë gjysmë për gjysmë”, ka pohuar ministri Beqaj. Sipas tij, një tjetër faktor që ka ndikuar në përcaktimin e shpejtë te diagnoza e ka qene edhe hapja e kabineteve të kardiologjisë në 11 rrethe të vendit dhe 3 në Tiranë.
 
Kryerja e Check-Up-it për moshat 40-65 vjeç, por edhe vizitat falas tek mjeku i familjes, janë cilësuar si një sukses nga kreu i shëndetësisë. "Ua dhamë ligjërisht të drejtën, qytetarëve shqiptarë në grupmoshën 40-65 që të kenë të drejtën falastë parandalimit. Ka patur dhe retorikë këtu. Është thënë që bëhej Check-Up edhe më parë. Nuk bëhej, nëse mjeku i familjes ta referonte me një dyshim. Në këtë rast kemi bërë kontroll parandalues. E vlerësoj riskun, e komunikojmë riskun dhe pastaj duhet ta menaxhojmë riskun”, theksoi ministri i shëndetësisë.
 
Por, një pjesë e rëndësishme në këtë sektor janë edhe investimet që do të kryhen në të ardhmen, ku është projektuar ngritja dhe fuqizimi i Spitalit të Fierit, i cili do të funksionojë edhe si spital qendror për të gjithë Jugun.

“Ne kemi në plan, dhe besoj, do ta arrijmë që të fillojmë ndërtimin e një spitali të madh Rajonal të ri në Fier, të ri komplet, që do jetë më shumë spitali i Jug-Perëndimit sesa spitali i qarkut Fier, sepse sot, siç e thamë, nevojat e kardiokirurgjisë mbulohen 80% me para publike, nuk ka rëndësi se ku, në QSUT apo në 5 spitalet që kanë kontratë me Fondin (FSDKSH), përveç ndoshta nevojës që ta hapim një shpejt, të mendohemi pak dhe të shikojmë një zgjidhje me strategjike për vendin. Sepse, e vendosur atje, besoj se do të na ndihmojë shumë për të krijuar edhe një mbështetje shumë më pozitive për zhvillimin e turizmit në Jug të vendit”, theksoi Beqaj.
 
E ndërsa renditi sukseset e realizuara në Kardiologji, kreu i shëndetësisë pohoi se së shpejti do të çelet edhe njësia e shërbimit të urgjencës së Neurologjisë (Stroke Unit), e cila do të ofrojë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës edhe për pacientët me këto lloj sëmundjesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat