Basha: Rama tradhtoi shqiptarët, premtoi vende pune, por i nisi 200 mijë si refugjatë

Shqipëria

Basha: Rama tradhtoi shqiptarët, premtoi vende pune, por i nisi 200 mijë si refugjatë

Më: 2 tetor 2016 Në ora: 14:01
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Vaun e Dejës. Duke u ndalur në situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, Basha tha se Edi Rama është shkaktari i kësaj situate për shkak të keqqeverjes, mosmbajtjes së asnjë premtimi, krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, Rama është tradhtari më i madh i shqiptarëve, të cilëve iu mori votën duke premtuar punësim, shëndetësi falas, ulje taksash dhe bëri të kundërtën duke detyruar mijëra shqiptarë të emigrojnë dhe duke i skallëvuar qindra të tjerë në parcelat e hashashit.

“A ka njeri që i ka tradhtuar më shumë shqiptarët sesa Edi Rama që u premtoi 300 mijë vende pune dhe i nisi 200 mijë refugjatë? A ka njeri që i ka tradhtuar më shumë shqiptarët se sa Edi Rama që u mori votën për shëndetësi falas dhe e ka katandisur shëndetësinë në gjendje mesjetare? Sepse milionat që duhet të shkojnë për përmirësimin e shërbimit të materniteteve, për ilaçet më bazike, për oksigjenin, i merr Vilma Nushi  dhe i ndan në fshehtësi me Edi Ramën dhe me shpurën e tij të korruptuar. A ka tradhti më të madhe se sa të vish në pushtet duke përdorur si kalë beteje  ndalimin e  importit të mbetjeve dhe në momentin më të parë t’i kthesh kurrizin e të rikthesh mbetjet dhe ata që dje i quajte heronj  t’i quash sharlatanë. A ka tradhti më të madhe sesa t’i premtosh  popullit se do t’u ulen taksash  dhe tua rrisësh taksat? A ka tradhti më të madhe ndaj popullit  t’i premtosh se do përmirësosh qeverisjen dhe  t’i vesh kriminelët në qafë ? A ka tradhti më të madhe për popullin  se sa të marrësh milionat, miliardat e buxhetit që i vjel me taksat  e rritura, me faturat e rritura, ti marrësh të gjitha për vete dhe për një grusht biznesmenësh hajdut dhe popullin ta lësh para tre alternativave; varfëri absolute, burg ose emigracion. A ka tradhti më të madhe se sa të skllavërosh popullin tënd  me të keqen më të madhe që ka njohur ky vend, që ka njohur jo pak marrëzi, që është mbjellja, kultivimi dhe trafiku i drogës?” u shpreh Basha.

Sot Edi Rama, theksoi lideri i opozitës nuk ka asnjë bilanc, asnjë premtim të mbajtur, ka veç keqqeverisje, varfëri dhe mjerim. Ndërsa po vjen përballja me qytetarët ai ka filluar sërish me mashtrimet e tij për tua hedhur shqiptarëve. Sot, tha Basha, nuk ka shqiptar që e beson më Edi Ramën dhe bandën e tij të hajdutëve në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat