Nishani kundër “plehrave”, shumica nuk ka 71 vota

Shqipëria

Nishani kundër “plehrave”, shumica nuk ka 71 vota

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 09:19
Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndryshe nga ligji i “Vetting”-ut, atë “Për Mbetjet” nuk do ta kalojë në heshtje, por do të mbajë një qëndrim ligjor me anë të dekretit . Një sinjal i fortë u lëshua dje nga vetë kreu i shtetit, teksa u pyet për qëndrimin që do të mbajë për ligjin që po kontestohet fuqishëm nga shoqëria civile, pasi lejohet importimi i mbetjeve. Përpara se të ndërmarrë një qëndrim final , për ta kthyer apo për të firmosur pro ligjit që mori 63 vota në seancën 22 shtatorit, Nishani bëri publik faktin se do të zhvillojë konsulta me shoqërinë civile. “E sigurt është që do të ketë një qëndrim, por Presidenti rezervon të drejtën, por dhe privilegjin që të flasë i fundit. Aktualisht specialistët dhe këshilltarët juridikë janë duke punuar. Jam duke përgatitur një takim konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë kërkuar një takim dhe konsultim me Presidentin e Republikës.

Është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla madhore, që lidhen me interesat e qytetarëve, me interesin e publikut ne gjithmonë i fokusojmë ato pikërisht në rrugën e zgjidhjes së këtij interesi, ku interesi publikut gjithmonë prevalon, ku interesi i marrjes dhe i shprehjes së mendimit dhe i vullnetit të sovranit që në fund të fundit për gjithsecilin prej nesh është qytetari, të prevalojë dhe të jetë ai maksimalisht i respektuar. Por natyrisht, edhe duke pasur mundësinë e afateve që Kushtetuta parashikon mendoj që nuk duhet të ketë një zvarritje të qëndrimit të Presidentit, por sapo mendimi përfundimtar i konsultuar gjerësisht pasi unë preferoj që për çështje të tilla madhore të ezauroj një konsultë sa më të gjerë të jetë e mundur jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit publik do të ketë qëndrimi përfundimtar opinioni të Presidentit të Republikës, edhe Kuvendi dhe të gjithë aktorët e tjerë të interesuar.

Unë dua t’ju falënderoj për pyetjen që bëni, sepse çështje të tilla që kanë sensibilitet apo le të themi ndjeshmëri të madhe të opinionit publik të qytetarëve për të cilët jemi të angazhuar dhe ngarkuar për t’u shërbyer, është një çështje që duhet trajtuar dhe duhet trajtuar me sa më shumë kujdes, me sa më shumë përfshirje të jetë e mundur”, deklaroi Nishani dje gjatë konferencës së përbashkët me homologun kosovar, Thaçi. Ky qëndrim duket si një sinjal i fortë se ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” mund të rikthehet për rishqyrtim, por gjithsesi kreu i shtetit ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, edhe pse ajo pritet të jetë e shpejtë. Dje,Presidenti pati një takim me përfaqësues të Unionit të ekspertëve të Mjedisit, që kryesohet nga Sazan Guri. Sot, sipas burimeve, Nishani pritet të vijojë takimet me përfaqësues të shoqërisë civile. Unioni në takim me kreun e shtetit mësohetse i ka renditur shtatë pika përmes të cilave mund të rrëzohet ligji. Në rast se Presidenti do ta firmosë ligjin, pikat e kontestuara do të përdoren më pas si argumente gjatë ankimimit që do t’i bëhet në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji i kthyer kërcënim për mazhorancën

Sipas juristëve të konsultuar nga “Shekulli”, një kthim i mundshëm në Kuvend i ligjit për importin e mbetjeve, pavarësisht argumenteve që Presidenti i Republikës mund të përdorë në arsyetimin e tij shoqërues, do të kërkojë një votim me një shumicë më të madhe nga ajo e miratimit të ligjit. Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” morën 63 vota pro, 27 kundër dhe 4 abstenim. Por për të rrëzuar një dekret të mundshëm të Nishanit, këto vota nuk do të mjaftojnë.Juristët shprehen se, sipas nenit 85 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. “Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë. Për të lënë në fuqi ligjin aktual, shumicës do t’i duhet të sigurojë jo më pas se 71 vota. Një praktikë e tillë është ndjekur edhe me të gjithë dekretet e Presidentit të Republikës për kthim ligjesh që janë rrëzuar nga Kuvendi.

Nga 27 vota kundër ligjit të “Mbetjeve”, tre prej tyre i përkasin të majtës Mimoza Hafizi, Dashmir Peza, Ben Blushi dhe nga ana e kreut të PBDNJ-së, VangjelDule. Ndërsa katër votat abstenuese nga e majta ishin të Përparim Spahiut të LSI-së, Luljeta Arapi dhe Klodiana Spahiu e PS-së.  Ndërsa në seancën e 22 shtatorit, pesë deputetët e PDIU-së, të kryesuar nga Shpëtim Idrizi bojkotuan votimin, duke dhënë sinjal të qartë se janë kundër në ligji të tillë. Por, në seancën e 22 shtatorit, kishte 45 deputetë që ishin prezent, por që nuk e votuan ligjin, ku një numër jo i vogël ishin dhe në radhët e maxhorancës, duke llogaritur këtu dhe mungesën kryeparlamentarit Ilir Meta. Kësaj here pritet që edhe opozita të ketë një qëndrim më të qartë për ligjin e “Mbetjeve”, pasi në votimin e 22 shtatorit deputetët demokratë nuk u shfaqën të unifikuar.

Rama nuk tërhiqet

Në rubrikën e përjavshme, Komunikim në Facebook, kryeministri Edi Rama iu përkushtua ligjit të “Mbetjeve”, duke bërë të qartë se edhe pse shoqëria civile po proteston, nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga zbatimi i tij. Duke pranuar se gabimi i qeverisë ishte mos konsultimi sa duhej me shoqërinë civile, Rama u shpreh se nuk ka kthim mbrapa.  “Më duhet ta pranoj se nuk kemi bërë sa duhet dhe me kohë, për të informuar qytetarët mbi strategjinë e kësaj beteje të re dhe të madhe për ta bërë më të pastër Shqipërinë. E kam vënë re me keqardhje këto ditë se konkretisht ka një mungesë të madhe informacioni mbi dallimin thelbësor mes plehrave që nuk i duhen dreqit dhe që duhen asgjësuar dhe mbetjeve të riciklueshme që janë lënda e parë e ekonomisë së gjelbër dhe ndiej përgjegjësi për këtë. Ashtu si kundër dua të nënvizoj se jam dhe jemi të gatshëm të diskutojmë sy më sy për përmbajtjen e legjislacionit të ri me çdo ambientalist të keqkuptuar, por të sinqertë në shqetësimin e vet. Por, njëkohësisht as nuk ka kthim mbrapa dhe as nuk ka hije dyshimi se legjislacioni i ri hap qartësisht, e zeza mbi të bardhë, një kapitull të ri për Shqipërinë e gjelbër të gjeneratës tjetër”, theksoi Rama.

Ristani: Nëse nuk pranohet, do të dalim në protesta

Partia Demokratike nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të saj, Arben Ristani ka sqaruar etapat që do të ndjekë opozita për mbajtjen e referendumit. Sipas ish-kreut të KQZ-së, 9 marsi i vitit të ardhshëm është afati i mbajtes së referendumit dhe se ligjërisht është i mjaftueshëm, pavarësisht se 2017 përkon me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Është një procedurë që shumë shpejt do të kalojë në Parlament. Parlamenti duhet të vendosi që të pranojë referendumin dhe në një rast të tillë, afatet ligjore janë të gjitha të mundshme që brenda marsit të vitet që vjen referendumi të jetë i kryer. Por sigurisht që e gjitha do vullnetin e mirë”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm. Ristani është i vetëdijshëm se Kryeministri do të përdorë çdo mundësi për të rrëzuar kërkesën e tyre në Kuvend. “Tashmë Rama është vendosur kundër interesit popullor, i kapur nga interesat e bandave të krimit dhe të mafias.

Ai u detyrua ta risjellë ligjin e plehrave në parlament për ta bërë ligj dhe për t’i  ridhënë mundësi mafias të plehrave që të depozitojnë në Shqipëri mbetjet e saj”, thekson Ristani për “Ora Neës”. Por në kushtet kur kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar rrëzimin e kërkesës për referendum, çështja komplikohet, dhe Partia Demokratike ka menduar një plan B.  “Një hap i dytë do jetë që të ftojë popullin të mbledhë firma në rast se Rama do të rrëzojë kërkesën për ta realizuar referendumin. Është një hap i sigurt, por që do ta vonojë çështjen duke e kaluar një vit më vonë. Në qoftë se opozita nuk do t’ia dalë që ta anulojë këtë ligj duke përdorur hapësirat kushtetuese dhe ligjore, atëherë aksioni i radhës do të jenë protestat”, theksoi Ristani. PD-ja ka ndërmarrë nismën me 30 deputetë për të kërkuar referendum për ndalimin e importit të plehrave të parashikuara në ligjin e ri të miratuar vetëm me kartonat e maxhorancës në seancën 22 shtatorit. Ndërsa idesë së referendumit ia është rikthyer dhe shoqëria civile, e cila u tërhoq tre vite më parë, mbas premtimit të kryeministrit se nuk do të lejonte importin e plehrave.

Juristët, Nishanit: Ja argumentet pse duhet ta kthesh mbrapsht

Në një letër të hapur, një grup individësh të pavarur, mes tyre edhe shumë juristë i kanë dërguar një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani ku i kërkojnë kthimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.“Me anë të kësaj letre, duam të përçojmë tek Ju, drejtpërdrejt e zyrtarisht, mendimin e nënshkruesve të kësaj letre, por edhe të atyre shumë shtetasve që kanë reaguar publikisht në forma e mjete të ndryshme, për kundërshtimin e këtij Ligji.

Duke kuptuar fazën ligjore në procesin e miratimit dhe të hyrjes në fuqi të këtij Ligji, në bazë të kompetencave që Ju jep Kushtetuara e Republikës së Shqipërisë dhe ligji përkatës shqiptar, kërkojmë nga Ju një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të çështjes në fjalë dhe kërkojmë mosdekretimin / kthimin e Ligjit për arsyet e mëposhtme (të cilat nuk janë renditur sipas peshës së argumentit)”, thotë në hyrje të letrës av.ArdjanaShehi, hartuesja e këtij dokumenti dhe njëra prej firmëtarëve, raporton Monitor.

Mungesa e faturës financiare është një nga arsyet se pse duhet kthyer mbrapsht një ligj i tillë. Por mbi të gjitha një ndër shkeljet që mund të konsiderohet është edhe ajo e mosrespektimit të direktivës europiane . “Ligji bie ndesh me direktivën e BE-së për zbatimin e ‘parimit të vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’, sipas direktivës 2008/98/KE, çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit... Mundësia e falimentimit të shoqërive tregtare të cilat kanë investuar në industrinë ricikluese duket që është argumenti i vetëm që përdoret për mbrojtjen e këtij Ligji; në fakt, ky duhet të ishte argumenti i fundit që duhet të ishte marrë parasysh gjatë miratimit te Ligjit.

Nëse këto shoqëri, para dhe gjatë fazës së investimit, nuk kanë bërë planet e biznesit profesional për të gjykuar siç duhet nëse janë fitimprurëse bazuar në ofertën në Shqipëri të lëndës së parë përkatëse, atëherë, si çdo biznes tjetër kur nuk ka investim të kujdesshëm e profesional, shoqëritë përkatëse mund të futen në procesin e falimentimit për ti hapur rrugë investimeve që janë fitimprurëse sipas parimit ‘fresh start’.Duhet mbajtur parasysh se ligji për Falimentimin në fuqi dhe ai që pritet të miratohet i jep mundësi ligjore ortakëve të këtyre shoqërive edhe që të riorganizohen në procedurë falimentimi duke riskrukturuar detyrimet dhe shlyerjen e kreditorëve, nëse kanë, dhe të vazhdojnë biznesin vetëm në funksion të përpunimit të mbetjeve të riciklueshme vendase.

Mekanizmat ligjore dhe institucionalë janë më se të mjaftueshëm dhe efektive në këtë drejtim”, janë disa argumentet në këtë letër drejtuar kreut të shtetit. Ndërsa theksohet se e drejta që i është dhënë nëpërmjet ligjit organizatave përkatëse të shoqërisë civile për të monitoruar importin nuk është as mjeti i përshtatshëm dhe as efektiv ligjor; ai është përdorur vetëm si një trukim për të bërë të pranueshëm miratimin e Ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat