Pajisje ushtarake, kamionë dhe helikopterë zbarkojnë në portin e Durrësit

Shqipëria

Pajisje ushtarake, kamionë dhe helikopterë zbarkojnë në portin e Durrësit

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 18:53
Paisjet

Prej dy- tre ditësh, banorët e qytetit të Durrësit janë bërë dëshmitarë të lëvizjeve të pazakonta në port. Anije të mëdha, kanë ankoruar në këtë port dhe prej tyre kanë zbarkuar dhjetra kamionë ushtarakë të ngarkuar, helikopterë dhe mjete të tjera luftarake.
 
Sipas burimeve zyrtare, këto karvanë ushtarakë janë drejtuar drejt bazës së Pashalimanit, ku të premten do të ketë një stërvitje të përbashkët ushtarake. Kaminoët në foto, me tabela dhe targa britanike, janë vetëm disa nga dhjetra të tjerë që tashmë thuhet se kanë marrë rrugën drejt jugut.
 
Kjo lëvizje e pazakontë, si dhe ardhja e trupave ushtarake ruse në Shqipëri, ka ngritur disa teori konspirative. Nëpër rrjete sociale nuk kanë munguar persona të caktuar, të cilët pretendojnë se armët kimike siriane kanë mbërritur në fshehtësi dhe trupat britanike, ruse dhe amerikane do të monitorojnë asgjesimin e tyre diku në afërsi të Bizës. Një tjetër version i komentuar në shtyp ka qenë edhe ai i rrezikut të spiunazhit rus, që mund të ketë depërtuar me trupat ushtarake ruse.
 
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pati sqaruar pak ditë më parë se ky grup ushtarakësh ndodhet në Shqipëri për një procedurë rutinë, veprimtari armëkontrolli në terrene sportive, që rrjedh nga detyrimet si vend anëtar i OSBE-së. Kodheli siguroi se nuk transmetohet asnjë sekret ushtarak tek këto trupa.
 
“Rusia është anëtare e organizatës së sigurisë së OSBE. Bazuar në veprimtarinë e përbashkët, kryejnë veprimtari të armëkontrollit. Është një aktivitet normal që e zhvillon edhe Shqipëria në vendet e BE-së, dhe normalisht priten edhe vendet e tjera anëtare të OSBE-së. Misioni i tyre mbaron në datë 30 shtator. Respektojmë detyrimet. Nuk ka të bëjë me FA-të, me NATO-n, nuk ka të bëjë me aktivitetin e mirëfilltë të NATO-s. Ka të bëjë me procedurat e armëkontrollit, procedurë rutinë për vendet e OSBE-së. Zonat janë të mirëpërcaktuara dhe merret leje. Asnjë sekret ushtarak nuk transmetohet tek personat përgjegjës. Personat përgjegjës merren vetëm me punën që është caktuar të bëjnë”, deklaroi Kodheli.
 
Sipas kësaj deklarate, trupat ruse duhet të jenë larguar tashmë nga Shqipëria, ndërkohë që mjetet luftarake që kanë mbërritur dhe po vazhdojnë të zbarkojnë në portin e Durrësit mund të jenë në kuadër të stërvitjes ushtarake “Joint Effort” që po zhvillohet në vendin tonë me pjesmarrjen e forcave amerikane dhe britanike. /lapsi
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat