‘Ligji i mbetjeve’, Nishani: Nuk do i zhgënjej qytetarët

Shqipëria

‘Ligji i mbetjeve’, Nishani: Nuk do i zhgënjej qytetarët

Më: 7 tetor 2016 Në ora: 14:20
Bujar Nishani

Aktivistët e shoqërisë civile, pas protestës kundër ligjit për importin e mbetjeve, kanë takuar edhe kreun e shtetit, të cilit i kanë bërë vazhdimisht thirrje të mos e dekretojë ligjin.

Përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, ekspertë mjedisorë dhe qytetarë, u takuan të premten me Bujar Nishanin, të cilit i parashtruan kërkesën për mosdekretimin e disa ndryshimeve në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe rikthimin  e tij për shqyrtim në Parlament.

“Pasi renditën argumentet e tyre të shumta që nisin nga ato mjedisorë, ligjorë, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të së drejtës për informim, e deri te ruajtja e shpresës dhe sigurimin e një jete sa më të mirë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, aktivistët civilë dhe pjesëmarrësit në takim çmuan “angazhimin e përgjegjshëm qytetar dhe institucional të Presidentit si përfaqësues dhe garantues i të drejtave dhe interesave të sovranit”. Kreu i Shtetit shqiptar, duke e konsideruar çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve si të një rëndësie madhore, me një ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi së tepërmi takimin konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambjentalistët si “shumë të vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”,” thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë Zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!” u shpreh Nishani.

Aktivistët shpresojnë se rikthimi i ligjit sërish në Kuvend nga presidenti do të mundësojë rrëzimin, pasi mazhoranca nuk i siguroi 71 vota në votimin e parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat