Presidenti grek - Metës: E njoh vizionin tuaj, keni kontribut në mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes 2 vendeve

Shqipëria

Presidenti grek - Metës: E njoh vizionin tuaj, keni kontribut në mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes 2 vendeve

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 19:01
Ilir Meta, Prokopis Pavlopoulos

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Greqi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Athinë në një takim të veçantë nga Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos me të cilin vlerësuan lart stadin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona fqinje.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se vizita e tij në Athinë është në funksion të nxitjes së bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona si kontribut për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe lidhjeve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Presidenti Pavlopoulos vlerësuan minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi si ura të forta lidhëse dhe kontribuues të rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore në të dy anët e kufirit.

Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Greqia vazhdon t’i japë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë, si dy vende anëtare të NATO-s në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria vlerëson maksimalisht vlerat evropiane të solidaritetit që Greqia ka treguar në momentet më kritike të krizës së refugjatëve, duke mbajtur një barrë të rëndë e duke mos ngritur mure siç u pa në vende të tjera.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Pavlopoulos ndanë bindjen se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Greqisë forcon paqen, sigurinë dhe stabilitetin në tërë rajonin tonë.

Gjatë takimit, Meta theksoi se sfidat në rritje me të cilat përballen vendet tona na imponojnë të bashkëpunojmë edhe më ngushtë për të fituar së bashku në emër të së ardhmes së dy popujve tanë.

“Ju falënderoj për atë që Greqia ka bërë duke mirëpritur emigrantët tanë këtu. Ka qenë një mbështetje e madhe, jo vetëm për vëllezërit tanë emigrantë në Greqi, por edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave. Marrëdhëniet tona duhet të jenë marrëdhënie vëllazërore, siç janë sot marrëdhëniet midis grekëve dhe shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por akoma më shumë edhe këtu në Greqi. Këto marrëdhënie kaq të ngushta njerëzore të krijuara sidomos në 26 vjet, na obligojnë ne vetëm për të çliruar energji pozitive dhe për t’i trajtuar edhe çështjet e trashëguara me qetësi, konstruktivitet dhe në përputhje edhe me vlerat dhe standardet evropiane. Për arsye se ne kemi një përkatësi të përbashkët transatlantike, si dy vende të NATO-s, por edhe evropiane”, - tha Kryetari i Kuvendit, Meta, ndërsa vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të jenë një shembull në rajonin tonë.

“Ne besojmë shumë në mbështetjen e mëtejshme të Greqisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jemi të vendosur që marrëdhëniet e Greqisë dhe Shqipërisë të jenë një shembull për të gjithë rajonin tonë dhe mendoj se ky është një detyrim për të ardhmen dhe gjeneratat e ardhshme”, - u shpreh Ilir Meta.

Nga ana e tij, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, vlerësoi vizionin e z.Meta dhe shprehu bindjen se Kryetari i Kuvendit mund të japë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Jam i sigurt se nisur nga roli juaj institucional, por edhe nga eksperienca juaj politike, që unë e njoh mirë, ju do të kontribuoni shumë pozitivisht në mbarëvajtjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona. Unë e njoh vizionin tuaj, pikëpamjen tuaj ndaj dhe besoj se ju mund të kontribuoni në mënyrë deçizive në mbarëvajtjen e këtyre marrëdhënieve. Ne grekët e kuptojmë mirë bashkërrugëtimin mes dy popujve tanë, kur që në një moment vështirësie shqiptarësh erdhën në Greqi dhe një numër ri madh këtu jeton akoma”, - tha ndër të tjera gjatë takimit Presidenti Pavlopoulos. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat