Taulant Balla hakmerret për Veliajn. Lexon shkrimin e Blushit dhe i zbulon skandalin kur ka qenë ministër

Shqipëria

Taulant Balla hakmerret për Veliajn. Lexon shkrimin e Blushit dhe i zbulon skandalin kur ka qenë ministër

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 19:43
Taulant Balla

Në një shkrim të gjatë postuar në profilin e tij në Facebook, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i është përgjigjur një shkrimi të botuar sot nga ish deputeti socialist, Ben Blushi në lidhje me hetimet që janë kryer për vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.

Blushi i ishte referuar një investigimi të bërë, por që u censuara në disa media të publikohej ku implikohej edhe vetë bashkia e Tiranës, ndërsa për të rrëzuar këtë akuzë, Balla i kujton ish kolegut të tij në parti pikërisht një vendim që ai donte të miratonte gjatë kohës që ka qenë ministër në qeverisjen e majtë të kohës së Fatos Nanos. Deri më tani nuk ka patur një reagim nga Blushi, por ish deputeti i PS-së për këtë pritet që të flasë edhe në seancë plenare.

Statusi i Taulant Balles

I fejuari dixhital i Lulit! 

Duke lexuar sot Blushin, kuptova pse edhe ky, njësoj si Saliu, Luli dhe shokët e tij që i bashkon armiqësia për Edi Ramën e për PS-në, duan që shpifja e ndyrë për gjoja ndalimin e emisionit për djalin e gjorë që humbi jetën në Sharrë, të merret si e vërtetë. Së pari, akoma nuk e dimë; duhet të na e thonë hetimet nëse djali e ka humbur jetën në Sharrë apo është hedhur në Sharrë nga duar të zeza për ta zhdukur viktimën e tyre në malin e mbeturinave. Por le ta marrim për momentin se është kështu siç thonë Beni, Saliu, Luli dhe shokët e tyre.

Fakti që dihet tanimë është, se, edhe Beni njësoj si Saliu dhe Luli, përpiqet me çdo kusht të thotë që ky shtet vret e pret njerëz! Dhe kjo është në vetvete një mizori edhe më rrënqethëse sesa mizoria që ata, medemek, denoncojnë ngaqë u dhemb shpirti(që kanë provuar se nuk e kanë kur flasin për hallet e njerëzve).

"Ardit Gjoklaj ka humbur jetën duke punuar në një territor publik që administrohet nga një kompani private me lejen e shtetit", shkruan Blushi! Dhe kush?! Ben Blushi, që kur humbën jetën në bulevard nga plumbat e shtetit të Saliut katër njerëz të pafajshëm, i perdori edhe ata njësoj siç po përdor të ndjerin Ardit për të sulmuar Edi Ramën dhe "banditët" e tij me trupat e vdekur të viktimave të shtetit. "Nëse Tirana është qyteti i rilindur që pretendohet se është, në Sharrë do kishte patur ndriçim të detyrueshëm...", vazhdon ai më tutje në faqen e re të Saliut digjital, "...edhe Arditi nuk do ishte shtypur në errësirë nga eskavatori që mblidhte plehra".

E vërtetë mund të jetë kjo, edhe pse përpara se të jetë e vërtetë, është padiskutim një spekullim tipik i ish-sherxhiut tonë profesionist që di të shkruajë, po s'di të respektojë asnjë të vërtetë. Por është, sidoqoftë, vetëm çereku i të vërtetës. Sepse treçereku tjetër është, që, kur zotëria ishte ministër i pushtetit vendor, jo vetëm nuk e pa ndonjëherë errësiren në Sharrë, as nuk e ndjeu ndonjëherë aromën e plehrave që digjeshin duke ngritur re të zeza mbi kombinat, por me firmën e tij e futi edhe qeverinë socialiste të asaj kohe në kthetrat e një mafiozi plehrash! Pikërisht, ky ekologjist i sapozbuluar donte që mafiozi i plehrave të ndërtonte në Shqiperi katër furra gjigande për djegien e plehrave të importuara nga Italia.

Sipas Blushit, nëse reforma e sigurimeve shoqërore do kishte funksionuar, Ardit Gjoklaj do kishte kontratë sigurimi dhe familja e tij duhej të dëmshpërblehej nga kompania. Ketu tregon edhe njëherë se sa i paditur është për sigurimet shoqërore, sepse s'kanë asnjë lidhje sigurimet shoqërore për efekt pensioni, me sigurimin e jetës së secilit prej nesh. Por padija e tij që ka gjithë jetën që ka treguar se di të shajë por nuk di të mesojë, është e keqja më e pakët në këtë mes. Ndërsa e keqja më e madhe, është se, njësoj si Saliu, edhe ky ka tre vjet që i kerkon kusuret e 25 vjetëve nga Edi Rama e nga Partia Socialiste, që ditën e parë kur kjo qeveri nisi punën. Dhe nuk po them këtu sa janë rritur shifrat e njerëzve të siguruar në këtë vend falë reformës, sepse Blushi e thoshte vetë, gjithmonë me kënaqësinë e njeriut te ngopur me veten: "Shifrat lexohen dhe pranohen ose jo në varësi nga karrigia ku je ulur!

Kur ishte në një karrige ministri në qeveri, ai donte që Shqipëria të importonte plehra për djegie, biles direkt nga duart e mafias, duke e bërë të zezën të bardhë. Ndërsa, kur s'e bëjnë ministër, ai është gati ta bëjë të bardhën të zezë aq herë sa hap gojën! Sipas tij, nëse martesa e plehrave mes Rilindjes dhe PD-së nuk do ishte celebruar në fushën e Sharres, atëherë, nuk do ishte e njëjta kompani ajo që mblidhte mbetjet. Sa qesharak në ngutjen e tij për të thënë si duhen zgjidhur gjërat, ndërkohë që, kur pati mundësi t'i zgjidhte, la pas vetëm nam të keq, kudo ku Partia Socialiste i besoi një karrige.

Kurse, sa për martesën e plehrave, fejesa e tij me Lulin nën sqetullën e Saliut nga dita e parë e kësaj qeverie, ka kohë që mban një erë të keqe!

Dëgjojeni edhe mbylljen se ka edhe më shumë budallallëk të shpifur që Blushi ka lënë sot me shkrim:

"Nëse industria e riciklimit, për shkak të presionit të shtetit do shtonte kostot e detyrueshme, atëherë, në Sharrë do kishte ndriçim dhe Arditi do ishte i siguruar".

Por ai në të vërtetë, as e ka idenë, dhe si gjithmonë, as që do t'ia dijë për të vërtetën kur i duhet të shesë për burim të vërtetë helmin e tij ndaj kësaj qeverie. Prandaj, duke e zbrazur deri në fund helmin, ai pretendon se, nëse qeveria nuk do ishte me industrinë por me Arditin, natyrisht që Sharra do ishte një vend pune dhe jo një varrezë. Por unë dua t'ju siguroj, se, nëse ai nuk do të ishte sot duke u përpjekur të lindte një parti të mjerë duke shfrytëzuar kazanin e plehrave të Saliut, as që do t'i binte ndërmend për Arditin e gjorë. Kështu që, njerëzit s'kanë nevojë të shohin filmin që u sugjeron Blushi për të kuptuar se sa keq mund të tallet politika me të varfrit dhe fatkeqët.

Mjafton të shohin Ben Blushin! 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat