Reagojnë 'Ricikluesit' pas kthimit të Ligjit për Mbetjet: Keqardhje për vendimin e Nishanit

Shqipëria

Reagojnë 'Ricikluesit' pas kthimit të Ligjit për Mbetjet: Keqardhje për vendimin e Nishanit

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 22:14
Ilustrim

“Jemi të zhgënjyer që një çështje me implikim qartësisht vetëm ekonomik, social dhe mjedisor bëhet objekt i betejave politike të radhës?”.

Është ky reagimi që Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë ka bërë pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend që Presidenti Bujar Nishani i bëri ligjit për mbetjet.

“Shoqata e Ricikluesve të Shqipërise, shpreh keqardhjen e vet të thellë, për mosdekretimin nga ana e Presidentit të Rëpublikës, te Ligjit nr.92/2016 për lejimin e importimit të lëndëve të para për industrinë e riciklimit. Shoqata e Ricikluesve bën me dije se, në ditët në vazhdim do të vijojë të japë të gjitha argumentet e saj për domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Ditë më parë kreu i shtetit pati një takim me përfaqësues të kësaj shoqate, por duket se argumentet e ofruara prej tyre nuk i kanë “mbushur” mendjen presidentit për të mirat e këtij ligji. Kujtojmë që shoqëria civile ka protestuar masivisht për kthimin e këtij ligji që sipas tyre dëmton rëndë shëndetin.

Ata argumentojnë se ligji synon të sjellë plehrat në Shqipëri me qëllim riciklimin në vendin tonë, në kushtet kur mungon edhe infrastruktura për ta bërë këtë proces. Kryeministri është shprehur se para implementimit të këtij ligji do të ngrihet e gjithë struktura e nevojshme për të bërë riciklimin e mbetjeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat