Veliaj: Sulmet politike nuk na devijojnë nga misioni për t’i shërbyer qytetarëve

Shqipëria

Veliaj: Sulmet politike nuk na devijojnë nga misioni për t’i shërbyer qytetarëve

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 12:21
Erion Veliaj

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar përfundimin e punimeve në rrugën “Kujtim Laro” në njësinë nr.3, ku theksoi se fokusi i bashkisë është puna, dhe jo shpifjet e sulmet politike.

“Më vjen mirë sepse jemi fokusuar te puna. Ky ka qenë vetëm viti ynë i parë dhe banorët e njësisë 3 kanë parë disa investime në kopshte, çerdhe, shkolla dhe infrastrukturë. Kështu do të vijojmë edhe në tre vitet e tjera. E di që shumë qytetarë janë të shqetësuar nëse bashkia do të fillojë të politizohet e të merret me fushatën e sharjeve e shpifjeve. Dua t’i siguroj ata se jam i fokusuar dhe nuk ka asnjë sharje, shpifje dhe asnjë sulm politik që më bën të devijoj nga misioni për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai i ka kërkuar ndjesë qytetarëve për trafikun e krijuar për shkak të rikonstruksionit të rrugëve, por thotë se qyteti do të jetë më i mirë kur këto punë të mbarojnë. 

“Vërtet kemi hapur 100 kantiere, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për këtë, por kur të kenë mbaruar do jenë 100 punë të mbyllura. Ashtu si një shtëpi e mirë ku teksa punohet, ka pak rrëmujë, ashtu edhe familja jonë e madhe në Tiranë ka pak rrëmujë me trafikun dhe lëvizjet në qytet, teksa mbarojmë këto projekte madhore. Por, kur këto punë të mbarojnë do të kemi një qytet shumë më të mirë, ashtu si rruga “Kujtim Laro”,e cila sot është një punë e mbaruar mirë për njësinë nr. 3”, përfundoi ai.

Rruga “Kujtim Laro” ka një gjatësi prej rreth 330 m dhe investimi i bërë ka mundësuar rregullimin e asfaltit, trotuareve, shtrimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha, ndriçimin e rrugës, vendosjen e sinjalistikës rrugore, krijimin e linjave rezervë, por edhe shtimin e gjelbërimit përgjatë gjithë rrugës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat