BSH: Shkak situata ekonomike dhe huatë me probleme

Shqipëria

BSH: Shkak situata ekonomike dhe huatë me probleme

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 13:31
Banka e Shqipërisë

Bankat private kanë shtrënguar sërish kredidhënien për biznesin për shkak se perceptojnë një situatë të vështirë ekonomike, por edhe druhen nga rritja e kredive të këqija. Në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë raporton se standardet e kredisë janë shtrënguar veçanërisht për bizneset e mëdha, ato të cilat mbajnë peshën kryesore të investimeve në ekonomi.

"Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike," deklaroi BSH. 

Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues.  

Ndërkohë, nëse për biznesin kredidhënia vazhdon të shtrëngohet, e kundërta ndodh me individët. Sipas BSH, në këtë segment bankat kanë qenë më dorëlëshuara dhe i kanë lehtësuar kushtet e kredidhënies.

"Konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve," - thuhet në njoftim.

Image

 

Rriten kërkesat për kolateral

"Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznesin u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral," - vëren Banka e Shqipërisë. Por faktori më shqetësues i vrojtimit lidhet me pritshmëritë negative për të ardhmen.

"Një prirje e ngjashme (shtrënguese) pritet të vijojë edhe në tremujorin e katërt të vitit 2016 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme," thuhet në vrojtim.    

Image

 

Kredia në krizë

Kredia për ekonominë u rikthye në stanjacion gjatë muajit gusht, teksa rritja krahasuar me një vit më parë zbriti në vetëm 0.1 për qind. Të dhënat statistikore nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 550.5 miliardë lekë në gusht nga 549.9 që ishte në gushtin e një viti më parë.

Ndonëse në gjysmën e parë të këtij viti u duk se kredia po rigjallërohej të dhënat e dy muajve të fundit konfirmojnë se Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer në një krizë të gjatë kredish. Kjo pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për rigjallërimin e kreditimit përmes uljes së normës bazë në nivelet minimale historike.

Të dhënat tregojnë se i vetmi segment i kredisë me rritje është ai i individëve. Sipas BSH, krahasuar me një vit më parë, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%.  Ndërsa biznesi vazhdon të mos ketë oreks për financim. Huaja për bizneset është ulur me rreth 5 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar ose afro 1.2%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat