Meta në homazhet e Teodor Laços: La pas një trashëgimi mjaft të vyer

Shqipëria

Meta në homazhet e Teodor Laços: La pas një trashëgimi mjaft të vyer

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 13:58
Foto

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në homazhet e zhvilluara në nderim të shkrimtarit dhe personalitetit të shquar të kulturës sonë kombëtare, Teodor Laço, i ndarë nga jeta një ditë më parë.

Bëhet e ditur se në homazhet e mbajtura në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Meta vendosi një kurorë me lule në nder të figurës së tij.

Duke folur për mediat, kryeparlamentari shprehu ngushëllimet për familjarët e Laços. Meta vlerësoi kontributin e Teodor Laços në kulturën dhe letërsinë tonë, por edhe në nxitjen e proceseve demokratike duke dhënë kontributin e tij dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ndarja nga jeta e një personaliteti të shquar si shkrimtari, publicisti, Teodor Laço është një humbje të cilën besoj se do ta ndiejnë të gjithë. Do ta ndiejë edhe jeta jonë publike për arsye se kontributet e tij kanë qenë mjaft të spikatura, që nga periudha kur ai kontribuoi në mënyrë mjaft aktive në kulturën dhe në letërsinë tonë, por edhe në nxitjen e proceseve demokratike duke dhënë kontributin e tij dhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në qeverisjen e vendit dhe në shërbimin diplomatik. Ndaj, me këtë rast dua të shpreh jo vetëm keqardhjen për këtë humbje, por njëkohësisht edhe besimin se Teodor Laço ka lënë pas një trashëgimi mjaft të vyer në të gjithë fushat ku ai kontribuoi, ka lënë gjurmë dhe për këto do të respektohet dhe do të kujtohet gjithmonë”, theksoi Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat