Bresnik, fshati që prodhon raki me standarde bashkëkohore

Shqipëria

Bresnik, fshati që prodhon raki me standarde bashkëkohore

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 10:28
Foto

Gramsh! Është vjeshtë! Në ajrin e fshatit Bresnik të Gramshit përhapet një aromë e këndshme fermentimi. Është koha kur fermerët ziejnë pijen të famshmen raki. Bresniku njihet si një nga fshatrat më me traditë në këtë drejtim. Por edhe fshatrat e trevës përreth nuk mbeten pas. Kanë vite që kultivojnë vreshta. Rrushi i ëmbël i këtyre anëve është mjaft i kërkuar. Dhe natyrisht prodhon raki me nam që zor e gjen në Shqipëri. Ai ishte vetëm 15 vjeç kur mori udhën për të emigruar në Greqi. Si mijëra të tjerë shkoi për të siguruar të ardhura për një jetë më të mirë. Ishte një nga ata djem punëtorë, që me shumë sakrificë vunë ca të holla mënjanë me qëllim të caktuar. Më pas sigurisht vjen kthimi.

Investimi 

Quhet Ermand Tafa. Tashmë është 27 vjeç dhe punon në biznesin familjar. Ai ka ngritur një punishte të përpunimit të rrushit dhe zierjes së rakisë. Gjithë paratë e fituara i investoi aty, ndërkohë që bashkëmoshatarë të tjerë blenë motorë dhe makina. Ermandi tregon se si i lindi ideja për të kryer këtë investim. “Kur u nisa për në Greqi isha i vogël. Punova në punë të ndryshme në bujqësi. Mblodha ca të holla dhe mendova t’i investoj në fshatin tim. E vrava shumë mendjen se çfarë mund të bëja me ato para. Ne jemi një fshat larg qyteteve dhe çdo investim tjetër nuk ka leverdi. Më shkoi ndërmend që të blej pajisjet e të ndërtoj një punishte rakie.

Gjatë viteve të fundit fshati dhe zona përreth ka mbjellë shumë vreshta. Është një mundësi për përfitim. Rrushin e kanë vështirë ta shesin të gjithë. Ndaj e kthejnë në verë dhe në raki. Prandaj gjithë paratë e fituara i investova për të ngritur këtë biznes. Dhe tani po ia shoh rezultatet pasi këtu vijnë të ziejnë raki të gjithë”. Ermandi tregon se ka shpenzuar jo pak, por mbi 20 milion lekë për të ngritur këtë punishte. Ka hasur mjaft burokratizma si kudo në Shqipëri. Por më në fund ia ka dalë. Aty vijnë nga gjithë zonat përreth, sepse prodhon raki cilësore. Janë mjaft të kënaqur me punën e tij. Ai merr vetëm 400 lekë për çdo kuintal rrush. Ndaj banorët shprehen se nuk ia vlen më ta ziejnë në kushte amatore, nëpër shtëpi.

Punishtja 

“Punishtja është e standardeve bashkëkohore. Pajisjet masin në mënyrë ekzakte gradacionin, temperaturën, presionin dhe gjithçka tjetër që nevojitet për të prodhuar raki. Këtu fshatarët mund të sjellin rrushin direkt nga ara dhe unë ia shtrydh mushtin duke ia hedhur në fuçi. Ose mund ta fermentojnë vetë e ta sjellin këtu.

Punishtja e ka të mbyllur ciklin dhe u krijon shumë lehtësi”. Rakia e prodhuar në Bresnik të Gramshit tashmë i ka kaluar kufijtë e fshatit saj. Atë e pëlqejnë kudo në Gramsh. Sepse është e pastër, e distiluar si kristal me shije dhe aromë të mirë. Ndaj fermerët e kësaj zone e kanë të garantuar shitjen. “Është një raki e mrekullueshme që të kënaq shpirtin-shprehet një fshatar. Ta bën me sy, ndaj nepsi nuk na lë dhe e kthejmë ndonjë gotë. Tani po vijnë të na e blejnë edhe në shtëpi.

Po mendoj të shtoj vreshtat. Sepse punët e tjera nuk kanë leverdi”. Rakia e Bresnikut po merr nam në këto anë. Aty vijnë edhe nga qytete të tjera. Madje nuk mungojnë edhe ata që dërgojnë ndonjë shishe jashtë shtetit për suvenir. Dhe kështu duket se Ermandi do të ketë akoma më shumë punë. Do t’i duhet të zgjerojë punishten e ta kthejë në fabrikë një ditë. Pse jo të ketë edhe markën e vet. Rakinë “Ermandi” ose më mirë “Rakinë Bresnik”. Fatos Salliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat