Buxheti 2015, Ahmetaj: U forcua rritja ekonomike

Shqipëria

Buxheti 2015, Ahmetaj: U forcua rritja ekonomike

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 15:32
Arben Ahmetaj

Diskutimi i buxhetit faktit të vitit 2015 është shoqëruar me debate mes ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe deputetëve të opozitës në komisionin parlamentar të ekonomisë.

“Buxheti 2015 i përmbushi objektivat kyresorë duke mbështetur reformat, duke garantuar kosolidimin e mëtejshëm fiskal dhe përforcuar rritjen e qëndrueshme ekonomike”, deklaroi Ahmetaj. 

Ahmetaj tha se veç mbështetjes së ekonomisë, buxheti i vitit 2015 stabilizoi financat e shtetit. 

“Nëse e zhveshim nga efekti i detyrimeve të prapambetura, defiçiti në vitin 2015 shkon në vlerën relative prej 2.8 për qind, ndër më të ulëtit në historinë e vendit”, nënvizoi Ahmetaj. 

Por për opozitën, buxheti faktik i 2015-s është çertifikata e dështimit të qeverisë me ekonominë. “Viti 2015 ka nivelin maksimal historik për borxhin publik, 73 për qind, që nuk ka qenë kurrë. Por qeveria kërkon të deklarojë suksese edhe atë që ka ndodhur gjatë 2015-s e që po ndodh edhe sot”, deklaroi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. 

Sipas Bodes, buxheti e ka përkeqësuar nivelin e jetesës së qytetarëve, por ministri i Finanancave pretendon të kundërtën. “Fakti që nuk janë rritur as pagat e as pensionet dëshmon për një varfërim të mëtejshëm të qytetarëve”, tha Bode. 

“Krahasuar me vitin pararendës, punësimi u rrit me 4.8 për qind”, tha nga ana tjetër Ahmetaj. 

Përmes buxhetit qeveria shpenzon mbi 30 për qind të Prodhimit Kombëtar dhe sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit abuzimet nga institucionet nuk janë të vogla. 

“Nga auditimet e realizuara për efekt të implementimit të buxhetit 2015 u konstatuan dëme në shumën 8 miliardë lekë”, deklaroi kreu i KLSH, Bujar Leskaj. 

Leskaj i kërkoi qeverisë të reduktojë ndryshimin e buxhetit me akt normativ, pasi sipas tij, kjo rrit mundësinë e abuzimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat