Ministri Klosi: Unifikim të diplomave të arsimit profesional në rajon

Shqipëria

Ministri Klosi: Unifikim të diplomave të arsimit profesional në rajon

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 13:26
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka njoftuar se në muajin dhjetor do të propozojë ngritjen e rrjetit të përbashkët të shkollave dhe formimit profesional.

Klosi ka qenë i pranishëm në aktivitetin për publikimin e rezultateve të bashkëpunimit të projektit SEED në Shqipëri, Serbi e Kosovë. Aktiviteti u zhvillua në qytetin e Shkodrës.

“Në takim me homologet e rajonit në dhjetor do propozoj ngritjen e rrjetit të përbashkët të shkollave dhe formimit profesional. Do shkojmë drejt unifikimit të diplomave dhe certifikimeve të formimit profesional rajonal. Kemi nevojë për unifikimin e tregut të punës, për konkurrencë të barabartë në rajon”, ka thënë ai.

Sipas ministrit të Mirëqenies, projekti austriak në tre shtete tregoi se tregu i përbashkët rajonal ka nevojë të ecë më shpejt se politika.

Projekti austriak ka si qëllim hapjen e vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Në këtë fazë të parë në Shkodër dhe Lezhë janë realizuar dy kurrikula të reja.

Blendi Klosi vuri theksin tek shpejtësia e gjetjes së vendit të punës nga marrja e formimit profesional. "Është ajo që aplikohet në vendet me papunësi të ulët në vendet e BE-së, ndaj duhet të ecim shpejt drejt këtij modeli, duke i dhënë shtysën e duhur formimit profesional", deklaroi ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat