Hemodializa edhe në Lezhë, Beqaj: Shumë shpejt në Korçë dhe Elbasan

Shqipëria

Hemodializa edhe në Lezhë, Beqaj: Shumë shpejt në Korçë dhe Elbasan

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 15:33
Ilir Beqaj

Për herë të parë në Spitalin Rajonal të Lezhës ofrohet tanimë shërbimi i hemodializës ky shërbim jetik për pacientët që e kanë të nevojshëm atë dhe shumë shenjt do të ofrohet edhe në Korçë dhe Elbasan.  

Kjo është bërë e ditur pas inspektimit të bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ku kanë shtuar se kështu rriten kapacitetet për të pritur pacientë të tjerë.
 
“Ky është shërbimi i ri i Hemodializës në Spitalin Rajonal të Lezhës. Nuk ka ekzistuar përpara në Lezhë një shërbim i tillë. Është Qendra e tretë që hapim pas Shkodrës dhe Vlorës, do vazhdojmë dhe me Korçën dhe me Elbasanin. Besoj se deri në fund të nëntorit do të shkojmë diku te 48 të sëmurë. Këta pacientë deri më parë e bënin o në Shkodër, o në Tiranë, 3 herë në javë, lëvizin, edhe me familjarë zakonisht.”
 
Gjithashtu ministri Beqaj bëri të ditur se për pacientët që kryejnë hemodializë do të ketë lehtësime edhe për vizitat që ata kryejnë pranë mjekut nefrolog, si dhe në marrjen e medikamenteve, duke eliminuar radhët e pritjes për recetën mjekësore.
 
 Në spitalin e Lezhës, 42 të sëmurë me insuficience renale, të cilët ishin të detyruar të udhëtonin së bashku me familjarë të tyre drejt Shkodrës apo Tiranës, 3 herë në javë, për të kryer hemodializën, - që prej datës 1 tetor, i dhanë fund kalvarit të vuajtjeve fizike dhe shpirtërore, por edhe shpenzimeve marramendëse, duke e marrë këtë shërbim në kushte optimale dhe standarde bashkëkohorë pranë Qendrës së re së Hemodializës në Spitalin rajonal të Lezhës.
 
Qendra e re e hemodializës, e treta e këtij lloji në vend, pas atyre të Vlorës dhe të Shkodrës, është investim prej 500 mijë dollarësh i partneritetit publik-privat.
 
Në këtë qendër janë instaluar 10 + 2 poste trajtimi (dy poste në salla të veçanta për pacientët me Hepatit C dhe HIV), për të kryer trajtimin e pacientëve vetëm në 2 turne. Në të ardhmen, shtimi i makinave dhe i posteve të hemodializës mund të rritet proporcionalisht në funksion të nevojave të pacientëve. Teknologjia e instaluar tashmë dhe vënë në funksion, si dhe impianti i aspirimit dhe i kondicionimit të përdorur janë të standardeve më bashkëkohore dhe me parametrat me modernë për kryerjen e hemodializës klasike. Qendra është e pajisur me laborator të brendshëm, i cili mundëson kryerjen e testeve laboratorike sipas protokollit të miratuar të hemodializës në mënyrë të menjëhershme. Po kështu, për të siguruar trajtimin e pacientëve pa asnjë ndërprerje qendra është e pajisur me gjenerator dhe UPS.
 
Pacientët, disa prej tyre të trajtuar edhe në spitale jashtë vendit u shprehën se ndiheshin të kënaqur me kushtet tejet moderne dhe shërbimin model të stafit mjekësor, të cilat nuk kishin asnjë dallim me atë të ofruar në spitalet evropiane.
 
“Kam 6 vjet që e bej hemodializën. Fillimisht e kam filluar në Itali, më pas  kam ardhur te “Nënë Tereza”. Rruga na lodhte, verës sidomos, prej të nxehtit, na binte tensioni. Tani shërbimi është shumë mirë.” - u shpreh një paciente.

“Nuk mund ta krahasoj as me Italinë. Atje kam bërë dializë. Si aparatura, si shërbim nuk mund ta krahasoj as me atë atje, matanë.” u shpreh një pacient tjetër i cili ka tre vjet kryen dializën.
 
Për këta pacientë një lehtësim i madh është edhe shkurtimi i shpenzimeve të rrugës, si dhe reduktimi i kohës së pritjes, në jo pak raste rraskapitës për gjendjen e tyre shëndetësore.
 
“Veç asaj që kemi hequr ato rrugët e Tiranës, vajtje-ardhjet, në 10-11 të darkës shkonim në shtëpi, 3 herë në javë, plus familjarin me ne, plus shpenzimet etj. etj. Për mua kjo është super, shërbimi është i mrekullueshëm, aparaturat normalisht, kushtet, gjithçka është sterile, gjithçka mirë. Sinqerisht të shtrëngoj dorën për iniciativën, që e ke mbajt fjalën.” - shprehet një paciente teksa kryen hemodializën.
 
Të njëjtin opinion ndajnë edhe pjesëtarët e stafit mjekësor të cilët shprehen të kënaqur me kushtet e punës. “Kushtet janë të gjitha si për ne, si për pacientët, unë personalisht jam e kënaqur që punoj këtu.” – u shpreh një infermiere e cila kryente shërbimin pranë pacientëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat