Meta, vizitë në Kinë: Forcim të marrëdhënieve mes dy vendeve

Shqipëria

Meta, vizitë në Kinë: Forcim të marrëdhënieve mes dy vendeve

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 09:44
Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nisi të martën vizitën e tij zyrtare në Republikën Popullore të Kinës me ftesë të Kryetarit të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Yu Zhengsheng. Në këtë vizitë, Meta shoqërohej nga një delegacion i gjerë i përbërë nga Ministri për Bujqësinë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, si dhe anëtarë të grupit parlamentar të miqësisë, Shqipëri-Republika Popullore e Kinës, si dhe nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Kryeparlamentari u prit fillimisht në takim nga Zhengsheng, të cilit i shprehu vullnetin për të intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunim midis dy vendeve në të gjitha fushat. Gjatë bisedimeve mes dy delegacioneve, Meta kërkoi që marrëdhëniet dypalëshe miqësore tradicionale të ridimensionohen në kushtet e zhvillimeve të reja globale.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, dy palët mirëpriten investimet kineze në Shqipëri përfshi ato në kuadër të Nismës së rëndësishme të bashkëpunimit 16+1. “Interesi reciprok në rritje mes dy vendeve kërkon të zgjerohet bashkëpunimi edhe në fusha të tjera sidomos atë të shkëmbimeve tregtare, në bujqësi, turizëm, arsim, kulturë”, nënvizoi Meta. Kryetari i Konferencës Konsultative të Popullit Kinez, Yu Zhengsheng u shpreh se Kina i është shumë mirënjohëse Shqipërisë, që e ka mbështetur atë në rimarrjen e vendit të saj në OKB. “Shqipëria është një vend i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe si e tillë mbetet aktive në kuadër të nismës bashkëpunimit 16+1”, theksoi Yu Zhengsheng. Meta theksoi edhe njëherë qëndrimin zyrtar të palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të politikës të një Kine të vetme, Republikës Popullore të Kinës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat