Projektligji/ 34 mijë mësues tek psikiatri, test për punën. Ja kush rrezikon të largohet

Shqipëria

Projektligji/ 34 mijë mësues tek psikiatri, test për punën. Ja kush rrezikon të largohet

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 08:08
ilustrim

Mësuesit e arsimit parashkollor, të arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm do të ushtrojnë profesionin e mësuesit vetëm pasi të kalojnë me sukses një testim psiko-emocional.

Kështu parashikon një projektligj i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ndryshon ligjin nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. Drafti është propozuar nga deputetet Mesila Doda, Albana Vokshi dhe Majlinda Bregu. Drafti synon identifikimin e mësuesve të dhunshëm, mësuesve me çrregullime mendore, me devijime të personalitetit, mësues pedofilë, maniakë etj., për t’u ndërprerë të drejtën e ushtrimit të profesionit. 

Kushti

Nëse Parlamenti do t’a miratojë këtë ligj, të gjithë mësuesit duhet të kalojnë në skanerin e psikiatrit, i cili do të bëjë një vlerësim për subjektin. Drafti parashikon që, mësuesi ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional. Vlerësimi psiko-emocional për mësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo pesë vjet. Mësuesit, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin, kryejnë vlerësimin psiko-emocional, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kriteret dhe mënyra e zhvillimit të vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. 

Vlerësimi psiko-emocional

Vlerësimi psiko-emocional do të jetë procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjiko-psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë një edhe proces multidisiplinor, që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj. Tre ligjvënëset kanë propozuar edhe ndryshimin e pikës 2 të nenit 60 të ligjit për arsimin parauniversitar. Sipas draftit, drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, për mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive si dhe për moskalim me sukses i vlerësimit psiko-emocional. 

Arsyetimi

Tre ligjvënëset kanë arsyetuar nismën e tyre për testimin psiko-emocional të mësuesve. “Jo rrallë ka ndodhur që mësues të jenë persona me çrregullime të shëndetit mendor, apo persona me devijime të personalitetit. Motivi i ndërmarrjes së kësaj nisme është udhëhequr nga parimet e Konventës së të Drejtave të Fëmijës, pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm, prej dekadash tashmë. Këto parime e vënë theksin në të drejtën e fëmijëve për paprekshmëri fizike dhe psikike, në detyrimin e mbrojtjes së fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, përfshirë këtu dhunën fizike, psikike, seksuale, shfrytëzimin, braktisjen, trajtimin jonjerëzor dhe ndëshkimin”, thuhet në relacionin shpjegues.  

Largohen nga puna 

Mësuesit e dhunshëm

Mësuesit çrregullime mendore

Mësuesit me devijime të personalitetit

Mësuesit pedofilë

Mësuesit maniakë etj. 

Ndryshimet e propozuar në ligjin për arsimin parauniversitar 

Në ligjin nr. 69/2012, "Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, bëhen këto shtesa: 

Neni 1

Në nenin 2 shtohet pika 28 me këtë përmbajtje: "Vlerësimi psiko-emocional" është procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjiko-psikiatrik, me qellim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë një edhe proces multidisiplinor që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj. 

Neni 2

Ne nenin 57 bëhen këto shtesa: 1. Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje: "Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë përmbushur kriteret e parashikuara ne pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni si dhe pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional. Vlerësimi psiko-emocional për anësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo pesë vjet. Kriteret dhe mënyra e zhvillimit të vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit". 2. Pas pikës 5 shtohet pika 6 me ketë përmbajtje: "6. institucionet apo psikologët të licencuar që kryejnë vlerësimin psiko-emocional përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 

Neni 3

Në nenin 60, pika 2 shtohet shkronja "ç" me këtë përmbajtje: "9) moskalim me sukses i vlerësimit psiko-emocional;" 

Neni 4

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 2 pika 2, të këtij ligji. 

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për arsimin, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 2 pika 1 këtij ligji. 

Neni 5

Dispozite transitore

Mësuesit, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin, kryejnë vlerësimin psiko-emocional, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat