Meta takon n/Kryetaren e Shoqatës së Kinës për Marrëdhënie Miqësore Ndërkombëtare

Shqipëria

Meta takon n/Kryetaren e Shoqatës së Kinës për Marrëdhënie Miqësore Ndërkombëtare

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 13:56
Ilir Meta dhe Deng Rong

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në kuadër të vizitës së tij në Kinë, u takua me N/Kryetaren e Shoqatës së Kinës për Marrëdhënie Miqësore Ndërkombëtare, znj. Deng Rong. Znj Rong është njëkohësisht vajza e Deng Xiaoping, liderit të njohur dhe reformatorit të madh të Kinës.

Gjatë takimit, z. Meta vlerësoi figurën e Deng Xiaoping-ut, i cili udhëhoqi vendin e tij për një dekadë, duke ideuar dhe realizuar reformat më të thella në të gjitha vendin.

Deng Xiaoping e hapi Kinën për investimet e huaja dhe tregun botëror, dhe inkurajoi konkurrencën private.

Kryetari i Kuvendit i dhuroi znj. Rong edhe librin e saj “Deng Xiaoping dhe Revolucioni Kulturor” të përkthyer në gjuhën shqipe. Gjithashtu, z. Meta e ftoi znj. Rong për një vizitë në Shqipëri në kuadër edhe të forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës.
“Për mua ishte kënaqësi e veçantë që të takoja znj. Deng Rong dhe t’i dhuroja në shqip librin ‘Deng Xiaoping dhe Revolucioni Kulturor’ i shkruar prej saj edhe si vajza e këtij udhëheqësi të jashtëzakonshëm dhe reformator të Kinës që ne e shohim sot. Pata kënaqësinë e veçantë që gjithashtu ta ftojë për një vizitë në Shqipëri dhe mendoj që do të ishte një vizitë me shumë vlerë që do t’i shërbente forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, midis Shqipërisë dhe Kinës”, – tha Kryetari i Kuvendit, z. Meta në një prononcim për median pas takimit.

Nga ana e saj, znj. Deng Rong, falënderoi Kryetarin Meta për takimin dhe shprehu kënaqësinë që libri i saj është botuar në gjuhën shqipe dhe është mirëpritur nga lexuesi shqiptar. Znj. Rong theksoi se Kina dhe Shqipëria janë popuj paqedashës e miqësorë dhe shprehu bindjen se vizita e z. Meta do të shërbejë në forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë.

“Dua të shfrytëzojë këtë rast për të shprehur falënderimet më të sinqerta për vizitën e Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë dhe për kohën që ai ka gjetur për këtë takim, pavarësisht axhendës shumë e ngjeshur, e cila ka treguar patjetër edhe ndjenjat miqësore midis dy popujve tanë. Gjithashtu është kënaqësi dhe nderi im i jashtëzakonshëm për botimin e këtij libri në gjuhën shqipe dhe unë u gëzova jashtë mase që ky libër mirëpritet nga lexuesi shqiptar e që pasqyron miqësinë midis dy vendeve tona. Kina dhe Shqipëria janë popuj paqedashës dhe miqësorë dhe shpresoj që nëpërmjet vizitës së z. Meta këto shkëmbime të mund të forcohen në shërbim të miqësisë midis dy popujve tanë. Përsa i përket këtij libri, unë kam shumë dëshirë që në një kohë të përshtatshme, të mund të shkojë vetë në Shqipëri për të prezantuar këtë libër, gjithashtu dhe historinë dhe tregimet që përmbahen në të”, – deklaroi në prononcimin vajza e Deng Xiaoping-ut, znj. Deng Rong.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat