BE jep bursa për nëpunësit civilë, Gjosha: Bashkëpunimi rajonal edhe në kapacitete njerëzores

Shqipëria

BE jep bursa për nëpunësit civilë, Gjosha: Bashkëpunimi rajonal edhe në kapacitete njerëzores

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 18:57
Pamje nga konferenca

Pesë nëpunës civilë të motivuar, pjesë e administratës publike shqiptare, do të nisen javën e ardhshme për në Paris për të filluar një kurs intensiv tre javor, të ofruar nga Shkolla e Administrimit Publik, në Fakultetin e Shkencave Politike të Parisit.

Pasi kanë kaluar me sukses testimin, ata do të bëhen pjesë e këtij kursi, në kuadër të “Skemës Europiane për profesionistët e rinj të Ballkanit Perëndimor”.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Integrimit Europian, me qëllim përgëzimin e fituesve dhe inkurajimin e nismave të tilla që forcojnë kapacitetet e administratës publike, si një nga prioritetet kryesore që i janë lënë Shqipërisë për të avancuar me axhendën  europiane. I pranishëm në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi i Delegacionit Europian, z. Yngve Engstrom dhe Drejtoresha e British Council, znj. Aida Berxholi.

“Ky projekt përputhet me axhendën e ndërlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si një nga angazhimet kryesore të Procesit të Berlinit. Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të bëhet vetëm në nivel politik, por përmes kapaciteteve tona njerëzore. Ndaj unë ju uroj shumë suksese dhe jam e bindur që kjo nisëm do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të administratës publike, si një nga prioritetet më madhore për axhendën tonë europiane”, tha Ministrja Gjosha.

Skema Europiane për profesionistët e rinj të Ballkanit Perëndimor është një instrument i Komisionit Europian, i cili ka si qëllim të motivojë dhe inkurajojë nëpunësit e rinj të administratës publike në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje – Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia). Një tjetër qëllim i rëndësishëm i kësaj skeme është forcimi i bashkëpunimit rajonal në aspektin administrativ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat