“Çështja çame” si fushatë elektorale. Idrizi i përgjigjet ashpër Metës: Gurët që na hidhni, do t`ju thyejnë kokën

Shqipëria

“Çështja çame” si fushatë elektorale. Idrizi i përgjigjet ashpër Metës: Gurët që na hidhni, do t`ju thyejnë kokën

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 14:09
Shpetim Idrizi

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka mbajtur sot në Konventën Kombëtare të forcës politike që drejton. një fjalim mjaft të ashpër kundër të gjithë atyre që e kanë akuzuar se çështjen çame, po e përdor për pushtet dhe përfitime elektorale.

Idrizi vërtet nuk ka përmendur emra, por në ligjërimin e tij të ashpër duket se i drejtohet më së shumti Ilir Metës duke e quajtur “nopranë”, i cili deklaroi pak një kohë më parë nga Athina se çështja çame po përdoret për përfitime elektorale.

“Sot dalin disa nopranë politikë dhe guxojnë të na tregojnë përfitimet elektorale që ne mund të kemi, kur bërtasim se ministrit grek Kotzias, që mbron ende sot xhelatët e Çamërisë nuk i puthet dora, por i tregohet e drejta ndërkombëtare. Këtyre nopranëve sot po i përgjigjem, unë dhe të gjithë sa jemi shqiptarë me zemër e gjak, do konsiderohemi mburoja njerëzore për çdo të drejtë të nëpërkëmbur të shqiptarëve të Çamërisë që është shpirti i shqiptarisë, por edhe për jetët dhe ëndrrat e shqiptarëve të ndarë sot në pesë shtete, nuk ka dhe nuk do ketë një tjetër varrezë ushtarësh grekë pa u ndërtuar Memoriali i genocidit grek në Çamëri”, tha Idrizi.

Por në vijim të fjalës së tij gjuha është ashpërsuar edhe më shumë  gjatë shpjegimit të hollësishëm për të vërtetuar të kundërtën e akuzës së artikuluar fillimisht nga kreu I LSI-së dhe trajtuar më pas, nga shumë analistë.

 “Ata që gjithë jetën e konsiderojnë veç zgjedhje, politikë e baltosje nuk mund të presin që ne të mbyllim gojën një vit para çdo fushate, sepse ky vend ka zgjedhje çdo dy vjet e kjo do të thotë që në duhet të heshtim përgjithnjë ashtu siç do na donin në fakt, të dobët e pa gojë. Në të kundërt ne do thërrasim fort, çdo ditë e çdo muaj të vitit që ta kuptojë çdo gazetar apo politikan, i vogël e i madh, se ne nuk do lëshojmë asnjë germë, asnjë presje, asnjë minutë, ditë a vit në atë që ne e quajmë shpirtin e shqiptarisë, Çështjen Çame. Na kanë akuzuar që po e përdorim Çështjen Çame për konsum elektoral. Po mirë, si mund ta përdorim këtë çështje për vota, kur na duhet edhe gati një vit të shkojmë tek kutitë. Ç’është kjo marri? Edhe sikur mos të jesh profesionist dhe me eksperiencë në politikë si mund të kërkosh vota me një gjë të tillë këtu e nëntë muaj përpara? Pastaj, unë sapo ju drejtova shqiptarëve kudo që gjenden që të përfshihen në Çështjen Çame pa dallim politik, krahinor apo besimi fetar. Pse duhet të bëj një autogol të tillë? Po të ishte për vota duhej ta mbaja këtë “thesar” veç për një komunitet të vogël? Jo pra, nuk na intereson Çështja Çame vetëm për çamët dhe votat e tyre, sepse nuk po bëjmë llogari dredharake politike të vogla. Nuk kërkojmë pushtet në emër të Çështjes Çame, por zgjidhen e saj. Pushtetin e shohim si mjet që duhet përdorur për të arritur tek zgjidhja, jo si nevojë për të qenë në Kuvend apo në qeveri. Kjo është çështje e ditës dhe e dritës dhe jo e harresës dhe e territ. Dhe ja ku po jua them me forcë, Çështja Çame e tillë do të jetë derisa të gjejë zgjidhjen përfundimtare europiane! Çështja Çame mund të jetë çështje elektorale jo për ne, por për ata që na sulmuan dhe kërkuan zbehjen e saj, veçanërisht minimizimin e rolit të Brukselit dhe Komisionerit Hahn. Për ata është çështje elektorale, sepse janë të trembur prej të dhënave që vijnë nga matjet e opinionit publik që tregojnë një rritje të madhe të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dëshmi e së cilës janë anëtarësimet e shumta që nuk rreshtin asnjë ditë”, tha aleati i Metës dhe Ramës, në koalicionin qeverisës

Në fund të fjalimit të tij, Idrizi duke mbajtur lart nervin për këtë çështje, i etiketoi të gjithë ata që e kanë akuzuar për politikë pushteti dhe elektorale dhe jo nacionaliste siç edhe deklaron, si strucë dhe hiena. Madje kreu i PDIU-së ka shkuar edhe më tej duke  paralajmëruar, se gurët që po hedhin ndaj tij dhe forcës që përfaqëson do tu kthehen mbrapsht dhe do të thyejnë kokat e tyre. 

“ Tani, me të gjithë këtë racë pjellore ngatërrestarësh nuk kemi as kohë, as mundësi të merremi përditë. Por, diçka mund t’jua themi sot nga kjo sallë e Këshillit tone Kombëtar: Vazhdoni mbillni farën e helmit, sepse vetëm ndihmoni në shpërthimin e Çështjes Çame dhe rritjes së qënësishme të PDIU-së. Jua dimë shumë për nder që tentoni të fusni shkopinj në rrota, sepse po na e lehtësoni kaq shumë rrugën tonë politike, aq sa as ne vetë nuk e prisnim. Por, jua themi hapur, copë se nuk do të pranojmë që Çështja Çame dhe Çështja Kombëtare të jenë çështje të kopshtit zoologjik të politikës shqiptare, ku ka dhe strucë, dhe hiena, dhe luanë. Po jua lemë vetë ta gjeni veten në këtë fermë kafshësh, sepse e dimë mirë që pemës plot me kokrra i gjuhet me gurë. Vetëm se ai gurë që që hidhet lart, bëni kujdes se do kthehet poshtë dhe ju thyen kokën”, paralajmëroi ashpër Idrizi në fjalën e tij të mbajtur në Konventën Kombëtare të PDIU-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat