Balla në Konventën e PAA: Shpresoj të jetë kongresi i fundit në koalicion me PD

Shqipëria

Balla në Konventën e PAA: Shpresoj të jetë kongresi i fundit në koalicion me PD

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 14:39
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i ftuar në Konventën e Partisë Agrare Ambientaliste.

Në fjalën e tij, ai tha se “kam kënaqësinë të përshëndes Kongresin e kësaj partie, me bindjen që ky është kongresi i fundit që e gjen Partinë Agrare Ambientaliste në koalicion me Partinë Demokratike”.

“Sepse kam bindjen që miku ynë, Agron Duka, ministër Bujqësie në qeverinë e Partisë Socialiste dhe ish-deputet i saj, e ka marrë lidershipin e kësaj partie duke respektuar pjesën më të mirë të historisë së saj, kur kjo PAA ishte një aleate besnike e Partisë Socialiste. Ashtu sikundër kam bindjen se, edhe fshehja e Saliut dhe e Lulit pas Agronit në garën për Kolonjën, është rezultat i të njëjtit fakt, që kjo parti vjen nga e majta dhe u kujton të majtëve historinë e tyre të përbashkët.

Ju jeni aktualisht në një gare lokale me ne dhe unë s’mund të bëj këtu kurrësesi fushatë për ju, po natyrisht as fushatë për ne! Por di vetëm t’ju them se edhe ju të Partisë Agrare Ambientaliste, duhet të vini me ne një orë e më parë që ne të punojmë edhe me ju edhe më shumë për njerëzit e për komunitetet e Shqipërisë sonë,” u shpreh Balla.

“Ndërkohë që unë dua t’i shpreh Agron Dukës vlerësimin e të gjithëve ne, sepse Agroni në Parlament ka treguar një model tjetër opozitarizmi, shumë kritik por njëkohësisht edhe konstruktiv dhe alternativ, është i mundur!

Ai nuk shan, nuk mbush Parlamentin me shpifje, nuk bërtet dhe mundohet të thotë gjithmonë jo vetëm pse s’është dakord, por edhe si mund të bjerë dakord nëse një ligj apo një tjetër riformulohet në një mënyrë të caktuar.

Shkurt, Agron Duka është profili qytetar i një opozite që qytetarinë e ka humbur në rrugën e ekstremizmit politik dhe gjuhësor”.

“Nuk po e zgjas më shumë këtë përshëndetje, se nuk kam ardhur këtu të bëj fushatë për Agronin dhe për partinë tuaj, në këtë kongres ku kam kënaqësinë t’ju përcjell përshëndetjet e kryetarit tonë Edi Rama! I cili me porositi t’ju them se në Kolonjë do t’ju mundim për t’i dhënë Partisë Demokratike mesazhin e qartë se me ne nuk ka shans të fitojë as në Dibër, as në Kolonjë dhe as në Shqipëri!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat